'Terroristët e Kurtit vrasin serbët', si u pasqyrua në mediat serbe ngjarja e rëndë në Kosovë (Foto)

25 September 2023, 13:51Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

'Terroristët e Kurtit vrasin serbët', si u pasqyrua në

Ngjarja e rëndë e një dite më parë në Kosovë është pasqyruar pothuajse në të gjitha mediat, përfshirë edhe ato serbe.

Nga disa prej mediave serbe, Policia e Kosovës konsiderohet terroristë, ndërsa kryeministrin Albin Kurti, fajtor për vrasjet në veri.

“Terroristët e Kurtit vrasin serbët”, ka shkruar media serbe “Alo”, ndërsa media tjetër “Informer” ka shkruar “Gjaku është në duart e Kurtit”.

Analisti boshnjak dhe pedagogu i Universitetit të Vjenës, Vedran Xhihiç në rrjetin e tij social ka publikuar disa prej titujve të mediave.

“Dita e parë pas sulmit nga grupi i armatosur serb në veri të Kosovës në mediat tabloide serbe. Mirë se vini në universin paralel propagandistik të regjimit në Serbi”, ka shkruar Xhihiç.

Nga ana tjetër, edhe presidenti serb, Aleksandar Vuçiç ka bërë fajtor Kurtin për ngjarjet dhe tensionet Kosovë-Serbi.

“Albin Kurti është fajtori i vetëm. Albin Kurti është ai që dëshiron konflikt dhe luftë. Ai dëshiron të na fusë në luftë me NATO-n”, ka thënë Vuçiç.

Ndërsa është pyetur se “nga ku i kishin siguruar uniformat sulmuesit” të cilët kanë sulmuar policinë e Kosovës, gjatë ditës së diel në veri të Kosovës, ai është përgjigjur: “Këto nuk janë uniforma të Ushtrisë së Republikës së Serbisë apo të Policisë së Republikës së Serbisë. Uniformat mund të blihen kudo në treg, nuk ka armë që nuk mund të gjenden askund”.

Një pjesëtar i Policisë së Kosovës u vra dhe 3 u plagosën në përleshjet me një grup të armatosur në veri të vendit.

Rreshteri Bunjaku u vra në pritën që grupi i armatosur  kishte zënë herët në mëngjes në hyrje të fshatit Banjskës në Zveçan. Gjatë shkëmbimit të zjarrit u plagosën edhe 2 policë të tjerë.

Më pas grupi i armatosur prej 30 anëtarësh u vendos në manastirin e Banjskës ku për orë të tëra, gjatë gjithë ditës së dielë u shkëmbyen të shtëna me policinë.

Në mbrëmje ministri i Brendshëm i Kosovës deklaroi se tre sulmues u vranë, ndërsa gjashtë persona të tjerë, që dyshohet se ishin të lidhur me ta, u arrestuan.



Video