Tensionohet situata jashtë gjykatës së Stambollit, qeveria ndalon X, 5 mijë forca shtesë në terren

22 Mars 2025, 23:52Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Protesta para gjykates ne Stamboll

Tensionohet atmosfera jashtë gjykatës së Stambollit ku qindra mbështetës të Ekrem Imamoglu janë mbledhur dhe po brohorasin në favor të kryebashkiakut të Stambollit, me forcat e policisë që i shtyjnë ata.

Pavarësisht ndalimit të tubimeve, i cili u zgjat deri më 27 mars, mbështetësit e Imamoglu qëndrojnë jashtë gjykatës, ndërsa procedurat me 34 hetuesit dhe 91 të pandehurit (përfshi Imamoglun) pritet të zgjasin gjithë natën.

Forcat e policisë e kanë kthyer pallatin në një fortesë pasi janë përforcuar me 5000 kolegë të tyre  nga krahina të tjera të vendit. Policia ka vendosur edhe topa uji dhe ka ngritur në ajër dhjetëra dronë.

Përveç ndalimit të tubimeve për katër ditë, autoritetet kanë arrestuar qindra protestues dhe kanë identifikuar mbi 300 llogari në rrjete sociale si "përhapëse urrejtjeje".

Llogari të shumta të aktivistëve në X janë pezulluar, disa vetëm brenda Turqisë, duke sugjeruar një bashkëpunim të mundshëm mes qeverisë dhe platformës.

Një ligj i vitit 2022 i jep autoriteteve turke fuqi të mëdha për të censuruar përmbajtjen, duke e bërë këtë veprim të ligjshëm, por të diskutueshëm.


Video