Kryeministri i Britanisë së Madhe, Rishi Sunak ka thënë se e sheh me shqetësim situatën e tensionuar mes Kosovës dhe Serbisë, gjatë një seance pyetje-përgjigje në parlamentin britanik.
Sunak është pyetur se si e sheh dështimin e Bashkimit Europian për të parandaluar situatën e tensionuar në Veri të Kosovës, dhe nëse vendi i tij do t’i bashkohet misionit të “EUFOR”.
“Jam i shqetësuar për situatën në Veri të Kosovës. Sekretari i Jashtëm u ka thënë kryeministrave të Kosovës dhe Serbisë se kanë përgjegjësi për të ulur tensionet”, është shprehur Sunak.
Ai tha se misionin paqeruajtës të Europës, Mbretëria e Bashkuar e sheh si “jetik”.
I pyetur nëse Mbretëria e Bashkuar do të dërgojë një emisar të posaçëm për uljen e tensioneve mes Kosovës dhe Serbisë, Sunak tha se vendi i tij do të ishte i hapur ndaj kësaj ideje, në një kohë kur mund të ishte e dobishme.
Lidhur me situatën e emigrantëve të paligjshëm, Sunak tha se i qëndron planit të qeverisë së tij për të dërguar në Ruanda të gjithë azilkërkuesit që mbërrijnë me varka në Brtitaninë e Madhe.