Lajçak flet pas takimit me Kurtin: Bashkimi Europian ka gati sanksione edhe për Serbinë, nesër shkoj në Beograd

4 July 2023, 19:22Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Lajçak flet pas takimit me Kurtin: Bashkimi Europian ka gati sanksione
Foto ilustruese: Miroslav Lajçak dhe Albin Kurti gjatë takimit

I dërguari i Posaçëm i Bashkimit Evropian për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, Miroslav Lajçak ka zbardhur detaje nga takimi i mbajtur ditën e sotme në Prishtinë me kryeministrin Albin Kurti.

Lajçak ka thënë ndër të tjera se diskutimet për shtensionimin e situatës në Veri të Kosovës po vazhdojnë, dhe se për këtë, i ka bërë disa propozime Kurtit.

“Në Bashkimin Europian ende duhet të vazhdojmë diskutimet tona për hapat konkretë. Ai (Kurti) ka prezantuar pikëpamjet e tij, unë të miat. Takimi i gjatë, por shumë i rëndësishëm për të kuptuar pozitat e njëri-tjetrit më mirë, por jemi kemi rënë dakord të vazhdojmë”, tha Lajçak.

Lajçak tha se sanksionet ndaj Kosovës nuk janë të dëshirueshme nga Bashkimi Europian, dhe se qëllimi është arritja në një pikë kur edhe ato të hiqen.

“Bashkimi Europian nuk është fare i gëzuar që të vijë në këtë pozitë për të vendosur këto masa dhe qëllimi i kësaj bisede është që të arrijmë te pika ku këto masa hiqen dhe të kthehemi në gjendjen paraprake”, tha ai.

Lajçak tha se ditën e nesërme do të udhëtojë drejt Beogradit, ku do të takohet me presidentin Aleksandër Vuçiç, ndërsa paralajmëroi se BE ka sanksione të gatshme edhe për Serbinë.

“Bashkimi Europian ka bërë të qartë se i ka sanksionet e gatshme edhe për Serbinë dhe ato do të vendosen nëse vendet e BE-se vendosin se nuk po respektohen kushtet apo kërkesat e BE-së. Por ky është vendim i BE-së dhe shteteve anëtarë. Do të shkoj në Beograd nesër”, u shpreh Lajçak.

Në përfundim, emisari i Bashkimit Europian tha se dëshiron të mos ketë sanksione dhe që palët t’i rikthehen dialogut në Bruksel.


Video