Prej disa orësh qarkullojnë zërat se Valery Gerasimov, Shefi i Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë ruse është vrarë në një sulm me raketa në gadishullin e Krimesë.
Sipas informacioneve paraprake, Ukraina lëshoi të paktën 10 raketa "cruise Storm Shadow" ditën e enjte duke goditur një qendër komande në Krime, dhe duke i shkaktuar vdekjen të paktën 25 personave, 10 prej të cilëve forca speciale dhe 5 të tjerë zyrtarë të lartë të ushtrisë ruse.
Një varg i madh ambulancash u pa në vendngjarje, ndërsa guvernatori pro-Putin i Sevastopolit e cilësoi si "sulmin më të rëndë dhe më të madh të kohëve të fundit".
E ndërsa Gerasimov nuk është parë në publik që prej 29 dhjetorit, zërat kanë qarkulluar se ai ka mbetur i vrarë në sulmin me raketa.
Mediat ukrainase kanë raportuar thashethemet, dhe komandanti i forcave ajrore në Kiev, gjenerallejtënant Mykola Oleshchuk thuhet se e vlerësoi "punën e përkryer luftarake" të forcave të tij.
Megjithatë, Ukraina nuk ka bërë asnjë pretendim se 68-vjeçari Gerasimov, i cili është gjithashtu zëvendësministri i parë i mbrojtjes i Putinit, ishte plagosur apo vrarë.
Sulmin e komentoi edhe Nataliya Humenyuk, zëdhënëse e forcave të mbrojtjes jugore të Ukrainës.
"Ne po mbledhim informacionin për të cilin jeni të interesuar aktualisht. Sapo të ketë konfirmimin e duhur, ai do të bëhet publik.Për momentin, ne mund të themi vetëm atë që dihet tashmë - pika e komandës është goditur", tha ajo.
Thashethemet për vdekjen e Gerasimov duket se kanë filluar të qarkullojnë pasi një kanal rus Telegram i quajtur "Tsarizmi i zakonshëm" postoi një raport të pakonfirmuar.
Aty thuhej: "Sipas të dhënave paraprake, Valery Gerasimov, i cili ishte në një post komandimi pranë Sevastopolit në kohën e sulmit, u vra në sulmin në Krime".
Më pas mesazhi u zhduk, ndërsa nuk u dha asnjë provë për vërtetësinë e këtij njoftimi. Kremlini nuk ka komentuar ende në lidhje me spekulimet.