
Presidenti i SHBA, Joe Biden njoftoi paketën e radhës së ndihmës ushtarake për Ukrainën me vlerë 800 milionë dollarë, si dhe një skemë për të ndihmuar refugjatët.
Biden e bëri të qartë gjithashtu se asnjë anije ruse, ose e lidhur me Rusinë nuk do të jetë në gjendje të ankorohet në SHBA, një kërkesë ukrainase të cilës Uashingtoni i kishte rezistuar deri më tani.
Shtetet e Bashkuara duket se po kërkojnë të godasin këdo që përpiqet të ndihmojë Rusinë, duke njoftuar një raund të ri sanksionesh ndaj bankave private dhe një rrjeti individësh që administrata pretendon se po përpiqen të ndihmojnë Rusinë t'u shmanget sanksioneve.
Ka ende shumë kritika nëse sanksione të tilla janë efektive, por SHBA-ja ka thënë se ato do të ndikojnë në ekonominë e Rusisë duke e tkurrur atë deri në 15 për qind në afat të gjatë.
Sanksionet e vendosura, ndalimi i importeve të energjisë dhe legjislacionet e ndryshme të nënshkruara nga Biden do ta bëjnë shumë të vështirë për Rusinë që të ketë marrëdhënie normale tregtare.
Në përditësimin e tij në Shtëpinë e Bardhë, presidenti i SHBA Joe Biden thotë gjithashtu se SHBA po ndalon anijet e lidhura me Rusinë nga portet e saj, në një lëvizje për të "rritur presionin ndaj Putinit".
"Asnjë anije që lundron nën flamurin rus, ose që është në pronësi ose operim nga interesat ruse, nuk do të jetë në gjendje të ankorohet në një port të SHBA, ose të hyjë në brigjet tona. Asnjë, asnjë," thotë ai.