
Pas vendimit të qeverisë së Kosovës për të mos lejuar mbajtjen e zgjedhjeve serbe në territorin e saj, serbët e veriut janë organizuar me autobusë për të kaluar kufirin dhe hedhur votën në zgjedhjet e dyfishta presidenciale dhe parlamentare.
Mediat serbe shkruajnë se autobusët me të cilët po qarkullojnë serbët e Kosovës, po ndalohen dhe kontrollohen qëllimisht nga Policia e Kosovës në kufi të dy vendeve, por kjo është mohuar nga Policia kosovare.
Serbët do të votojnë për zgjedhjet presidenciale, zgjedhjet e parakohshme parlamentare dhe zgjedhjet lokale në Beograd. Janë rreth 6 milionë e gjysmë serbë që do të kenë mundësi të votojnë.
Në këto zgjedhje të Serbisë, shqiptarët e Preshevës, Medvegjës dhe Bujanocit garojnë me dy lista dhe nga pretendimi për 3-4 deputetë, rrezikojnë që të mos marrin asnjë.
Të dyja koalicionet shqiptare të Luginës kanë akuzuar qeverinë e Beogradit se ka fshirë nga lista e votuesve mbi 6 mijë shqiptarë, përmes procesit të fshirjes së adresave të tyre.