Rivendoset energjia elektrike në disa pjesë të Spanjës, Sánchez: Shkaqet janë ende të panjohura

28 April 2025, 21:22Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Rivendoset energjia elektrike në disa pjesë të Spanjës,
Kaosi ne Spanje

Kryeministri i Spanjës, Pedro Sánchez, deklaroi se energjia elektrike është rikthyer në disa zona në veri dhe jug të Spanjës “falë ndihmës nga Franca dhe Maroku”.

Më parë, operatori spanjoll i rrjetit tha se energjia elektrike po rikthehej “në disa zona të veriut, jugut dhe perëndimit të gadishullit Iberik”.

"Ju nxisim t'ju drejtoheni kanaleve zyrtare për informacion", vazhdon Sánchez - duke iu bërë apel qytetarëve në Spanjë të shmangin "dezinformimin".

Ai thotë se shkaku i ndërprerjes së energjisë është ende i panjohur, ndërsa kërkoi të mos spekulohet.

"Asnjë shkak nuk mund të përjashtohet në këtë pikë", shtoi Sánchez.

Operatori francez i rrjetit RTE po ndihmon sakaq në furnizimin e rrjetit elektrik të Spanjës.

RTE-ja thotë se tashmë ka rifurnizuar 700 MW të konsumit spanjoll dhe do të rrisë ndihmën sapo rrjeti iberik të mund ta marrë atë.

Spanja dhe Portugalia u goditën gjatë të hënës nga një ndërprerje e përhapur e energjisë të hënën që paralizoi transportin publik, shkaktoi bllokime të mëdha trafiku dhe vonesa të fluturimeve.

Operatorët e shërbimeve kërkuan të rivendosnin rrjetin, por Red Eléctrica sqaroi fillimisht se ndërprerja, shkaku i së cilës nuk dihet menjëherë, mund të zgjasë nga gjashtë deri në 10 orë.

Ndërprerja shkaktoi kaos në pjesë të Portugalisë dhe Spanjës, pasi semaforët ndaluan së punuari, duke shkaktuar bllokim të qarkullimit.

Rrjetet e transportit u ndalën, spitalet mbetën pa energji dhe njerëzit mbetën të bllokuar në metro dhe në ashensorë.

Në Madrid, qindra njerëz qëndruan në rrugë jashtë ndërtesave të zyrave dhe kishte një prani të madhe policore rreth disa ndërtesave të rëndësishme, me oficerë që drejtonin trafikun.

Qeveritë spanjolle dhe portugeze u takuan për të diskutuar ndërprerjen, e cila preku shkurtimisht edhe pjesë të Francës, dhe një komitet krize u ngrit në Spanjë, raporton BBC.


Video