Tashmë që ka përfunduar edhe raundi i dytë i zgjedhjeve vendore të 12 tetorit, shumica e kandidatëve i kanë shpallur fitoret nëpër komunat përkatëse, ndërsa në disa prej tyre kundërkandidatët që kanë humbur kanë uruar rivalët e tyre, e disa të tjerë kanë marrë edhe përgjegjësi.
Nga dy raundet e këtyre zgjedhjeve, dy parti kanë dalë me nga shtatë komuna secila, sipas rezultateve paraprake.
LDK-ja dhe LVV-ja janë “fitueset” e mëdha të këtyre zgjedhjeve, ndërsa kjo e fundit konsiderohet fituesja më e madhe, pasi në mandatin e kaluar qeveriste me gjithsej katër komuna.
Pas tyre vjen PDK-ja me gjashtë komuna, ndërsa AAK-ja ka dalë nga këto zgjedhje me pesë kryetarë komune.
Drenasin e fitoi në raundin e parë Ramiz Lladrovci me nismën e tij “Për Drenasin Kampion”.
Nisma Socialdemokrate rikonfirmoi Malishevën.
Mamusha u fitua nga Partia Demokratike Turke e Kosovës (KDTP), ndërsa Lista Serbe është partia me numrin më të madh të komunave gjithsej dhjetë.
Në raundin e parë, LDK-ja fitoi dy komuna Istogun dhe Lipjanin, ndërsa në balotazh shpalli fitoren edhe në pesë të tjera: Prishtinë, Pejë, Junik, Viti dhe Dragash. Në zgjedhjet e kaluara, kjo parti qeveriste me nëntë komuna (tetë të fituara në zgjedhjet e vitit 2021 dhe Obiliqin, pasi kryetari i saj, Xhafer Gashi, kishte kaluar në LDK në vitin 2022, pasi e kishte fituar me listë qytetare).
LVV-ja, në zgjedhjet e 12 tetorit, fitoi pa balotazh në tri komuna: Podujevë, Shtime dhe Kamenicë, ndërsa në raundin e dytë u shpall fituese edhe në Mitrovicë, Gjilan, Fushë-Kosovë dhe Obiliq. LVV-ja, në katërvjeçarin e fundit, qeveriste vetëm me Podujevën, Shtimen, Gjilanin dhe Kamenicën.
PDK-ja fitoi Ferizajn, Skënderajn dhe Hanin e Elezit në raundin e parë, ndërsa në balotazh mori edhe Vushtrrinë, Prizrenin dhe Kaçanikun. Para këtyre zgjedhjeve, kjo parti qeveriste me tetë komuna (këto të rikonfirmuarat, si dhe Mitrovicën e Skënderajn).
AAK-ja, nga ana tjetër, më 12 tetor fitoi vetëm Deçanin pa balotazh, ndërsa në raundin e dytë u rikonfirmua edhe në katër komuna të tjera: Gjakovë, Klinë, Rahovec dhe Suharekë. Kjo parti ka mbajtur të njëjtat komuna.
Ndërkaq, Nisma fitoi Malishevën në raundin e parë, ndërsa në të dytin nuk ishte në garë në asnjë komunë tjetër. Edhe në zgjedhjet e kaluara, kjo parti qeveriste vetëm me këtë komunë.