Qeveria e Kosovës ka reaguar pasi kryeministri Albin Kurti kishte rënë pre e një telefonate mashtruese nga dy komedianë rusë, ku një prej tyre u shtir si të ishte kryeministri i Letonisë.
Qeveria e Kosovës nuk e mohon vërtetësinë e bisedës, teksa thotë se kjo sipas tyre tregon “fiksimin” që Rusia ka me Kosovën.
Reagimi i plotë:
Deklaratë e Zyrës së Kryeministrit në lidhje me incidentin me telefonatën - prank call
Ngjarja ka ndodhur më 11 shkurt, pak pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, në një periudhë kur kryeministri Kurti po pranonte mesazhe të shumta urimi dhe thirrje për rezultatin e zgjedhjeve. Për shkak të kohës, jo gjithmonë ishte e mundur të kryheshin verifikimet e plota të çdo telefonate.
Ky incident fatkeq përforcon atë që kemi e ditur prej kohësh: Rusia është e fiksuar pas Kosovës dhe vazhdon ta ketë cak vendin tonë. Gjatë fushatës zgjedhore për zgjedhjet parlamentare të 9 shkurtit, Sputnik Serbia dhe Russia Today (RT) publikuan mbi 60 lajme të rreme dhe artikuj dezinformues, duke ndërhyrë në procesin tonë demokratik, siç dokumentohet nga Misioni i BE-së për Vëzhgimin e Zgjedhjeve.
Teksa na vjen keq që kryeministri Albin Kurti u bë shënjestër e një thirrje të tillë, ky episod rikonfirmon qëndrimet parimore dhe konsistente të kryeministrit Kurti për çështjet kyçe, si në biseda publike ashtu edhe në ato private.