Rusia bën prova lufte në portat e NATO-s, pasi dronët e saj u rrëzuan mbi Poloni. Sakaq, Moska dhe aleati i saj kyç, Bjellorusia, nisën stërvitjet ushtarake të përbashkëta “Zapad 2025”, që përkthehet në shqip: Perëndimi 2025, në një kohë kur frika për një përplasje të mundshme mes superfuqive është më e madhe se kurrë më parë.
“Përmes manovrave strategjike, është planifikuar stërvitja dhe kontrolli i përbashkët, rajonal dhe i trupave në luftimin e agresionit kundër Shtetit të Përbashkët, opsione të ndryshme për veprime të përbashkëta në neutralizimin e kërcënimeve dhe stabilizimin e situatës në kufij”, shkruhet në njoftimin e Ministrisë ruse të Mbrojtjes.
Në kundërpërgjigje, Polonia ka dërguar rreth 40 mijë ushtarë në kufirin me Bjellorusinë dhe Rusinë. “Po përgatitemi prej kohësh për manovrat Zapad 2025”, konfirmoi zëvendësministri i Mbrojtjes i Polonisë.
Ai shton se ushtria e tij dhe disa forca të vendeve të NATO-s, kanë kryer stërvitje për t’iu kundërpërgjigjur ndonjë agresioni të mundshëm. Një masë tjetër e marrë është dhe mbyllja e kufirit me Bjellorusinë. Por, Rusia ka kërkuar që Polonia ta rihapë atë, ndërsa paralajmëron pasoja për këtë veprim.
Mbyllja e kufirit erdhi dhe pas dhjetra dronëve që u rrëzuan nga ushtria e Varshavës bashkë me forcat aleate të NATO-s.
Polonia beson se ishte një sulm i qëllimshëm për të testuar reagimin e aleancës së fuqishme, por Presidenti amerikan Donald Trump nuk mendon kështu:
“Mund të ketë qenë një gabim. Por, pavarësisht kësaj, nuk jam i kënaqur me asgjë që ka të bëjë me gjithë këtë situatë. Shpresoj që do të përfundojë”.
Kryeministri polak, Donald Tusk, thotë se gjithçka ka qenë e qëllimshme.
“Edhe ne do të dëshironin që sulmi me dronë ndaj Polonisë të kishte qenë një gabim. Por nuk është kështu dhe këtë e dimë mirë”, shkruan ai në një postim më rrjetin social X, në kundërpërgjigje të deklaratës së Trump.
Lidhur me sulmin, Franca dërgoi një notë proteste, ndërsa zhvendosi 3 avionë lufte në Poloni.