Një police në Sidnei të Australisë po konsiderohet si heroinë në rrjetet sociale, pas pamjeve që e tregojnë atë të vetme teksa neutralizoi agresorin e sulmit me thikë në një qendër tregtare.
Policja bionde u filmua teksa po ndiqte autorin në katin e sipërm të qendrës tregtare. Në një moment, ai ndaloi dhe i drejtoi asaj thikën duke e kërcënuar seriozisht. Policja nuk hezitoi dhe e qëlloi duke e asgjësuar.
E gjithë skena ndodhi në mes të panikut që kishte përfshirë qytetarët, teksa autori arriti të vriste 5 persona dhe plagosi 8 të tjerë, mes tyre një fëmijë 9-muajsh.
Policja u pa më pas teksa po ushtronte ringjallje kardiopulmonare për një prej viktimave i shtrirë në tokë.
Autoritetet thanë se sulmi 'nuk është terrorist', por ende nuk dihet asgjë rreth profilit të autorit dhe motivit pas krimit makabër.