Pitbulli futet në shkollë, sulmon nxënësit dhe policët që erdhën për ndihmë (VIDEO)

23 Janar 2025, 09:03Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Një ngjarje e pazakontë dhe e rëndë ndodhi në shkollën e fshatit Shirok, në Suharekë, ku një qen pitbull hyri në ambientet e shkollës dhe sulmoi disa nxënës.

KALLXO.com raportoi se disa nxënës dhe disa zyrtarë policorë kanë marrë lëndime, pasi janë sulmuar nga një qen i cili kishte hyrë brenda objektit të shkollës “17 shkurti” në Shirokë të Suharekës.

Policia ka dhënë detaje për ngjarjen duke njoftuar se rasti është raportuar të mërkurën, më 22.01.2025, rreth orës 09:50 minuta.

“Patrullat policore i janë përgjigjur rastit me urgjencë, ku kanë arritur në shkollë. Kanë vërejtur një qen brenda shkollës, i cili kishte sulmuar nxënësit e shkollës dhe paraqiste rrezik potencial ende. Qeni ka sulmuar edhe policët, mirëpo në shpejtësi është asgjësuar – duke e mënjanuar rrezikun e mëtutjeshëm.” – ka thënë për KALLXO.com, zëdhënësi i Policisë në Prizren, Vesel Gashi.

Për ngjarjen është njoftuar Prokurori kompetent, Hetimet Rajonale në Prizren, IPK-ja, si dhe është identifikuar pronari i qenit, i cili është arrestuar. Rasti është iniciuar, si: “shkaktim i rrezikut të përgjithshëm”.

Dy prej nxënësve që u sulmuan nga qeni, i cili hyri në oborrin e Shkollës Fillore të Mesme të Ulët “17 Shkurti” në Shirokë të Suharekës, janë dërguar në Spitalin Rajonal të Prizrenit, kurse dy të tjerë janë trajtuar në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare (QKMF) në Suharekë.

Kështu ka treguar drejtoresha e shkollës “17 Shkurti”, Hidajete Bytyqi. Sipas Bytyqit, nxënësit që u sulmuan nga qeni janë të klasës së parë, të dytë, të pestë dhe të gjashtë.“Dy në Prizren janë edhe dy këtu në Suharekë.

Ma mirë janë, e kanë tejkalu. Një rast është ma i randë.” – ka thënë Bytyqi, më 22.01.2025.

Shefi i Emergjencës në Spitalin Rajonal të Prizrenit, Hekuran Veçgishti ka thënë se dy nxënësit e Shkollës Fillore “17 Shkurti”, që i kanë pranuar kanë pasur disa plagë në trup.

“Janë përpunu plagët te na. Prej tyre, një është liru, një është pranu në Repartin e Infektives për trajtim të matutjeshëm.” – ka thënë Veçgishti.

Gjatë kohës së pushimit të gjatë, nxënësit kanë dalë jashtë hapësirës së shkollës “17 Shkurti” për të blerë ushqim dhe më pas qeni i ka ndjekur pas kthimit të tyre në shkollë – sipas Bytyqit.

“Knej rrugës duke ardhë (pasi kanë ble ushqim) i ka ndjek ai qeni, deri në oborr të shkollës. Fëmija tuj vrapu, edhe ai ka hy me atë fëmijë. E ka sulmu atë vajzën të parën. Kanë qenë kujdestarët, po ata derën e kanë mbyllë menjëherë. E kemi neutralizu, mos me lanë prapë me dalë jashtë – derisa erdhën Policia.” – ka treguar Bytyqi.

Pasi kanë njoftuar Policinë, Bytyqi tha se ka ardhur edhe Ndihma e Shpejtë, kurse nxënësit janë shqetësuar shumë dhe u është dashur ta ndërprejnë mësimin për të gjithë.“Po, po e kemi ndërpre (mësimin).

I kemi liru fëmijët, se nuk ke atmosferë e mësimit.” – tha Bytyqi.Bytyqi tha se prindërit e nxënësve që janë sulmuar nga qeni janë shqetësuar shumë dhe e kanë fajësuar stafin e shkollës për rastin që ka ndodhur.

Ajo e ka pohuar se shkolla “17 Shkurti” ka psikolog shkollor dhe e ka trajtuar rastin. Bytyqi ka shtuar se nuk kanë pasur ndonjë rast tjetër në të kaluarën, kurse për atë që ka ndodhur të mërkurën, më 22.01.2025, e ka vlerësuar si rast “të tmerrshëm”.

“Kryetari (Bali Muharremaj) ka shku në Prizren, në Spital me taku atë fëmijën, që është (atje)… Dy (nxënës) i vizitova në QKMF në Suharekë, veç për shqetësim. Nuk i ka prekë, bisedova me ta, shkuan në shtëpi. Dy kanë shku në Prizren. Njëri është prej shqetësimit më shumë, ndërsa një vajzë, ajo është e lënduar në kokë.” – ka thënë Bajselmani.

Video