Kina nuk është më kërcënimi kryesor i sigurisë për Shtetet e Bashkuara, sipas Strategjisë së re Kombëtare të Mbrojtjes të Pentagonit, i publikuar të premten.
Dokumenti, i cili publikohet çdo katër vjet, vendos në krye të prioriteteve mbrojtjen e territorit amerikan dhe të Hemisferës Perëndimore.
Strategjia thekson se Washingtoni ka neglizhuar për një kohë të gjatë “interesat konkrete të amerikanëve” dhe sinjalizon një qasje më të përmbajtur ndaj angazhimeve ndërkombëtare, përfshirë mbështetjen për aleatët.
Pentagoni njofton se SHBA-të do të ofrojnë një mbështetje “më të kufizuar” për partnerët e tyre dhe kërkon një ndarje më të madhe të barrës së sigurisë, duke argumentuar se shumë aleatë kanë qenë “të kënaqur të lejojnë Washingtonin të subvencionojë mbrojtjen e tyre”.
Kjo strategji përforcon linjat politike të ndjekura nga administrata Trump gjatë vitit të parë të mandatit të saj të dytë.
Dokumenti nënvizon se SHBA-të do të garantojnë aksesin ushtarak dhe tregtar në zona kyçe strategjike, si Kanali i Panamasë, Gjiri i Amerikës dhe Groenlanda.
“Nga idealizmi utopik i së kaluarës, drejt realizmit të ashpër”, thuhet në dokument, duke e përshkruar qasjen e re si thelbësisht të ndryshme nga strategjitë e administratave pas Luftës së Ftohtë.
Sa i përket Kinës, Pentagoni thekson se marrëdhëniet do të menaxhohen përmes “forcës, jo konfrontimit”. Objektivi, sipas strategjisë, nuk është dominimi apo poshtërimi i Pekinit, por parandalimi i çdo fuqie që të dominojë SHBA-të ose aleatët e saj.
Ndryshe nga dokumentet e mëparshme, Tajvani nuk përmendet drejtpërdrejt, edhe pse SHBA-të theksojnë se synojnë të pengojnë çdo përpjekje për dominim rajonal. Kujtohet se në fund të vitit të kaluar, Washingtoni miratoi një shitje armësh për Tajvanin me vlerë 11 miliardë dollarë, duke nxitur reagime ushtarake nga Kina.
Rusia përshkruhet si një “kërcënim i vazhdueshëm, por i menaxhueshëm” për krahun lindor të NATO-s, ndërsa për Korenë e Veriut strategjia parashikon një rol më të kufizuar amerikan, duke vlerësuar se Koreja e Jugut është e aftë të marrë përgjegjësinë kryesore për parandalimin.
Dokumenti mohon se kjo qasje përbën izolacionizëm, duke theksuar se SHBA-të synojnë një strategji më të fokusuar dhe realiste, ku interesat amerikane nuk barazohen automatikisht me kërcënimet që përballen vende të tjera.
Në këtë kontekst, aleatët evropianë pritet të marrin rolin udhëheqës për kërcënimet që janë më të mëdha për ta sesa për SHBA-të, në një botë që, sipas disa liderëve perëndimorë, po shkon drejt një rendi ndërkombëtar gjithnjë e më pak të bazuar në rregulla.