
Parlamenti Europian përshëndet vendimin e Gjermanisë për të pezulluar autorizimin për gazsjellësin Nord Stream 2, por bën thirrje që ky gazsjellës të braktiset plotësisht pas agresionit rus në Ukrainë.
Thirrja shprehet përmes një rezolute të miratuar gjatë seancës së jashtëzakonshme të Parlamentit këtë të martë.
Rezoluta vë theksin te domosdoshmëria për të reduktuar menjëherë, shpejt dhe pa kthim pas varësinë e BE-së nga gazi rus. Për këtë, PE i kërkon Komisionit që të shohë të gjitha mundësitë, që nga rritja e kapacitetit të depozitave, deri te përshpejtimi drejt energjisë së rinovueshme.
Komisionit i bëhet thirrje që të ngrejë një grup pune dhe me koordinim me vendet anëtare të përllogarisë dëmet që i shkaktohen ekonomisë së unionit nga sanksionet e vendosura ndaj Rusisë me udhëzimin që për të zbutur këto dëme të merren të gjitha masat.
PE u kërkon vendeve anëtare që të ndërpresin menjëherë çdo bashkëpunim në fushën e energjisë nukleare me Rusinë, sidomos me kompaninë Rosatom dhe degët e saj. Bashkëpunimi, sipas rezolutës duhet ndërprerë edhe të Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Bërthamore dhe t’u hiqet licenca të gjitha degët e kompanisë ruse, Rosatom.