Një vajzë nga Peja, e quajtur Mirka Nikqi, ka publikuar pamjet se si është sulmuar seksualisht nga një djalë. Ngjarja ka ndodhur në mes të qytetit kosovar të martën e kaluar, në orën 20:50.
Siç shihet dhe në videon e mëposhtme, vazja është duke ecur dhe nga pas i afrohet një person, e kap nga mbrapa dhe nuk e lëshon. Ajo provon t’i shmanget dhe arrin t’i ikën vetëm pasi aty pranë kalojnë disa qytetarë.
Nikqi ka treguar në një status në Instagram se si ndodhi rasti.
“Me datë 27. 09.2022, në ora 20.50, në qendër të qytetit te Pejës isha viktimë e sulmit seksual, veprim vandal i cili është kryer me paramendim nga personi F.B.”.
Ajo thotë se personi që e sulmoi është “anëtar i një familje të njohur në qytetin e Pejës”.
“Si pasojë e kësaj situate, për momentin jam në gjendje të rëndë emocionale dhe nuk mund të deklarohem në tërësi. Pas vendimit të plotfuqishëm të Gjykatës do të ju njoftoj për rrjedhën e situatës dhe sulmuesin e paskrupullt”.
Ajo ka falënderuar organet e rendit dhe qytetarët “të cilët me angazhimin e koordinuar, dhe shumë shpejt, mundësuan identifikimin dhe arrestimin e sulmuesit i i cili ka lënë një vragë të shëmtuar në jetën time”.