Ministri izraelit i Financave, Bezalel Smotrich, ka kërkuar nga qeveria e tij që të ndërmarrë hapa drejt aneksimit të pjesëve të Rripit të Gazës, në rast se Hamasi nuk pranon të dorëzohet.
I njohur për qëndrimet e tij ekstreme të djathta, Bezalel Smotrich prej kohësh është pozicionuar kundër çdo marrëveshjeje që synon t’i japë fund luftës gati dyvjeçare me Hamasin, prezantoi planin e tij për një “fitore në Gazë deri në fund të vitit”, gjatë një konference për media të mbajtur në Jerusalem.
Sipas planit të Smotrich, Hamasit do t’i vendosej një ultimatum për t’u dorëzuar, për t’u çarmatosur dhe për të liruar pengjet që vazhdojnë të mbahen në territorin e Gazës që nga sulmi i 7 tetorit 2023, një ngjarje që shënoi fillimin e luftes dhe masakrave izraelite në Gaza.
Në rast se ky ultimatum refuzohet, Smotrich propozon që Izraeli të aneksojë një pjesë të territorit çdo javë, duke përmbyllur të gjithë procesin brenda katër javësh dhe duke vendosur kontroll të plotë izraelit mbi Gazën.
Ai parashikon që, fillimisht, palestinezëve do t’u kërkohet të zhvendosen drejt jugut të Rripit të Gazës. Izraeli, ndërkohë, do të rrethonte pjesët veriore dhe qendrore të territorit për të asgjësuar çdo mbetje të strukturave militante të Hamasit, dhe më pas do të ndërmerrte hapat përfundimtarë të aneksimit.
“Ky është një objektiv që mund të realizohet brenda tre deri në katër muaj”, deklaroi ministri.
Deklaratat e Smotrich vijnë në një kohë kur ushtria izraelite po zhvillon një ofensivë të gjerë me qëllimin e marrjes së kontrollit të plotë mbi Qytetin e Gazës zona urbane më e madhe e territorit përkundër shqetësimeve të theksuara për gjendjen e civilëve palestinezë.
Gjatë konfliktit, më shumë se 2 milionë banorë të Gazës janë zhvendosur të paktën një herë, si pasojë e luftimeve intensive. Ministri i Financave i bëri thirrje kryeministrit Benjamin Netanyahu që ta miratojë menjëherë planin e tij në tërësi.
Smotrich është një prej figurave të krahut të djathtë brenda koalicionit qeverisës të Izraelit që janë shprehur hapur në favor të rikthimit të vendbanimeve izraelite në Rripin e Gazës territor nga i cili Izraeli u tërhoq në vitin 2005, duke larguar ushtarët dhe kolonët.
Javën e kaluar, ai autorizoi një projekt të rëndësishëm ndërtimi në Bregun Perëndimor, një projekt që, sipas kritikëve, përbën një kërcënim serioz për integritetin territorial të një shteti të mundshëm palestinez.