
Ministri i Mbrojtjes i Izraelit, Israel Katz, deklaroi këtë të martë se largimi i materialit bërthamor të pasuruar nga territori i Iranit është “kushti i pragut” (threshold condition) për t’i dhënë fund fushatës ushtarake.
Gjatë një fjalimi në Ditën e Kujtimit të Holokaustit, Katz theksoi se megjithëse programi bërthamor i Iranit është goditur rëndë, prania e uraniumit të pasuruar mbetet një rrezik që lejon Teheranin të rinisë prodhimin e armëve në çdo moment, sipas Ynet.
“Largimi i materialit të pasuruar është një kusht parësor për përfundimin e fushatës kundër Iranit. Izraeli dhe Shtetet e Bashkuara e kanë përcaktuar këtë çështje si thelbësore për çdo marrëveshje të ardhshme,” deklaroi Katz, duke shtuar se Izraeli është sot “më i fortë dhe më i sigurt”.
Pavarësisht retorikës luftarake, burime diplomatike sugjerojnë se bisedimet mes Uashingtonit dhe Teheranit mund të rinisin që këtë javë. Presidenti Donald Trump ka pohuar se Irani ka kërkuar kontakt për një marrëveshje, por ai mbetet i prerë kundër çdo pakti që lejon pasurimin e uraniumit në nivele ushtarake.
Një zyrtar i lartë amerikan konfirmoi për Fox News se presioni i fundit, përfshirë bllokadën detare në Ngushticën e Hormuzit, ka rritur ndjeshëm shqetësimin në Teheran, duke i detyruar ata të ulen në tryezë.
Tensionet në Ngushticën e Hormuzit kanë trazuar tregjet ndërkombëtare.
Megjithëse çmimi i naftës ra nën 100 dollarë për fuçi për shkak të pasigurisë, Fondi Monetar Ndërkombëtar (FMN) uli parashikimin për rritjen globale, duke paralajmëruar se një konflikt i zgjatur mund ta çojë ekonominë botërore drejt recesionit.
Ndërkohë që vëmendja është te Irani, marrëveshjet e armëpushimit në frontet e tjera po mbahen kryesisht, pavarësisht se Izraeli vazhdon goditjet ndaj Hezbollahut në Liban. Ministri i Jashtëm izraelit, Gideon Saar, përsëriti qëndrimin e prerë: “Izraeli nuk do të lejojë kurrë që Irani të sigurojë armë bërthamore.”