Biznesmeni dhe politikani i njohur në Kosovë, Behgjet Pacolli, do të jetë i ftuar në dasmën e vajzës së ish-presidentit dhe miliarderi amerikan Donald Trump, Tiffany Trump.
Lajmin e ka konfirmuar për mediat kosovare këshilltari i presidentit të AKR-së. Gjithashtu, vetë Pacolli sot përmes një njoftimi në profilin e tij në rrjetet sociale ka njoftuar se është nisur drejt ShBA-së.
"Rrugës tani për në Miami një udhëtim për një ngjarje me miqtë e mi amerikan." shkruan Pacolli krahas një fotoje nga avioni.
Tiffany Trump është vajza e vetme e Donald Trump nga martesa e dytë me aktoren Marla Maples. Tiffany është rritur me nënën e saj në Kaliforni pas ndarjes së prindërve të saj dhe është bërë më shumë e famshme vetëm së fundmi.
Mediat amerikane shkruajnë prej muajsh për këtë dasmë dhe sipas disa raportimeve, pritet që të jenë më shumë se 500 të ftuar. Dhe mes këtyre të ftuarve do të jetë dhe Behgjet Pacoli.
Dasma luksoze pritet të organizohet në restortin madhështor me mbi 5 mijë metra katror “Mar-a-Lago” që është në pronësi të Donald Trump.
Mar-a-Lago është një resort dhe pikë referimi historike amerikane në Palm Beach të Floridas. Trump bleu Mar-a-Lago në vitin 1985 dhe e ka quajtur atë si “Shtëpia e Bardhë e Dimrit” dhe “Shtëpia e Bardhë e Jugut” gjatë mandatit të tij presidencial.
