Kthesa e madhe/ Presidenti i Sirisë pritet nga Trump në Shtëpinë e Bardhë

10 Nëntor 2025, 23:53Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Presidenti i Sirisë pritet nga Trump në Shtëpinë e Bardhë

Trajektorja e jetës së Ahmed Al-Sharaa, 40-vjeç, është nga më të pazakontat. Nga luftëtar xhihadist në gjirin e terroristëve të Al-Kaidas kundër amerikanëve, ai kaloi vite në burgun famëkeq të Irakut, Abu Graib dhe më pas mori drejtimin e Al-Nusras, duke qenë i kërkuar me një shpërblim 10 milionë dollarë. Tashmë President i Sirisë, ai pritet në takim nga Donald Trump në Zyrën Ovale në Uashington.

Takimi historik

Shtetet e Bashkuara të Amerikës njoftuan një pezullim të pjesshëm të disa prej sanksioneve më të rrepta kundër Sirisë për 180 ditë të tjera. Lajmi erdhi pasi Presidenti i SHBA-së Donald Trump priti Presidentin sirian Ahmed al-Sharaa në Shtëpinë e Bardhë, në një takim historik që shënon një ndryshim rrënjësor në marrëdhëniet midis dy vendeve.

Vizita, e para e një presidenti sirian në Uashington që nga pavarësia e vendit, vulos rrugën e Sirisë drejt rimëkëmbjes në skenën ndërkombëtare pas dekadash izolimi. Al-Sharaa, i cili mori pushtetin në dhjetor 2024 pas përmbysjes së Bashar al-Assad, vjen nga radhët e rebelëve islamistë që tani është bërë një bashkëbisedues me Perëndimin.

Mbërritja e tij në Shtëpinë e Bardhë ishte diskrete, pa nderimet dhe flamujt kombëtarë të vendosur që zakonisht shoqërojnë krerët e shteteve.

Kthesa e madhe/ Presidenti i Sirisë pritet nga Trump në

Amerikanët ende nuk i kanë "dhuruar" gjithçka, pasi kanë zgjedhur që Al-Sharaa të mos ulet krah për krah Trumpit në oxhakun e Zyrës Ovale, por përballë tij në tryezën e punës.

Kthesa e madhe/ Presidenti i Sirisë pritet nga Trump në

Sipas Shtëpisë së Bardhë, takimi u përqendrua në forcimin e sigurisë dhe pjesëmarrjen e Sirisë në koalicionin e udhëhequr nga SHBA-të kundër Shtetit Islamik, ndërsa një pakt i mundshëm sigurie me Izraelin është gjithashtu në tryezë.

Në të njëjtën kohë, Departamenti i Thesarit i SHBA-së njoftoi një urdhër të ri, duke zgjatur pezullimin e vendosjes së sanksioneve të të ashtuquajturave “Akti i Cezarit” për 6 muaj.

Megjithatë, përjashtohen transaksionet që përfshijnë qeveritë e Rusisë dhe Iranit ose produktet, teknologjitë dhe financimi që burojnë prej tyre.

Një zyrtar i lartë i administratës Trump tha se një shfuqizim i plotë i “Aktit të Cezarit” kërkon një vendim të Kongresit.

Trump tashmë ka hequr shumë nga sanksionet e mëparshme dhe e ka përshkruar Al-Sharaa si një “lider të fortë që përballet me një lagje të vështirë”.

Bisedimet vijnë vetëm disa ditë pasi Sharaa u hoq nga lista e “terroristëve të shpallur globalisht”.

Uashingtoni po shqyrton tani krijimin e një pranie ushtarake amerikane në një bazë ajrore pranë Damaskut, ndërsa të dyja palët po diskutojnë mënyrat për të stabilizuar vendin pas 14 vitesh lufte.

Pak para takimit, autoritetet siriane njoftuan se kishin penguar dy atentate ndaj Al-Sharaa nga grupet e Shtetit Islamik.

Gjatë fundjavës, Ministria e Brendshme Siriane nisi një fushatë për të çmontuar elementët kryesorë të organizatës, duke arrestuar mbi 70 të dyshuar.



Video