Rrjeti britanik i lajmeve BBC po përballet me krizën më të rëndë në më shumë se një dekadë, pasi Drejtori i Përgjithshëm Tim Davie dhe drejtuesja e lajmeve Deborah Turness dhanë dorëheqjen, pas publikimit të një memoje të rrjedhur që ka shkaktuar debat të madh publik.
Dorëheqjet erdhën të dielën mbrëma, pas një hetimi të brendshëm që zbuloi “probleme serioze dhe sistematike” brenda BBC-së, përfshirë manipulimin e një pjese të fjalimit të presidentit amerikan Donald Trump.
Deputetë të lartë në Britani kanë kërkuar tashmë një ristrukturim të thellë të BBC-së, duke theksuar se pasardhësi i Davie duhet të punojë për “të rikthyer besimin” e publikut në institucion, i cili, sipas tyre, është lëkundur ndjeshëm gjatë mandatit të tij.
Sipas raportimeve, edhe figura të tjera të rëndësishme, si Jonathan Munro, drejtori global i lajmeve janë nën presion për t’u larguar, në një krizë që analistët e konsiderojnë më të rëndën për BBC-në që prej skandalit të Jimmy Savile në vitin 2012.
Kemi Badenoch, udhëheqësja e opozitës, deklaroi se Davie dhe Turness “më në fund morën përgjegjësinë që u takonte”, por shtoi se zbulimet e The Telegraph përfshijnë edhe probleme në raportimet mbi luftën në Gaza dhe çështjet e komunitetit transgjinor, duke “nxjerrë në pah njëanshmëri institucionale që nuk mund të fshihet me dy dorëheqje”.
Ajo theksoi se duhet ndërmarrë veprim i fortë për të gjitha çështjet e ngritura, duke kërkuar riformatim të plotë të kulturës së brendshme të BBC-së.
“Korporata nuk mund të pretendojë mbështetje publike përmes tarifës së detyrueshme të licencës, nëse nuk tregon vërtet paanshmëri,” u shpreh Badenoch.
Ndërkohë, presidenti amerikan Donald Trump falënderoi The Telegraph për publikimin, duke shkruar në rrjetin e tij Truth Social se raportimi kishte zbuluar “një gjë të tmerrshme për demokracinë”.