
Autoritetet iraniane deklarojnë se pesë persona janë vrarë gjatë operacionit të Shteteve të Bashkuara për shpëtimin e një anëtari të ekuipazhit të një avioni luftarak të rrëzuar në Iran.
Sipas mediave shtetërore iraniane, viktimat u shënuan gjatë sulmeve ajrore që shoqëruan ndërhyrjen amerikane në terren.
Në të njëjtën kohë, Garda Revolucionare Iraniane pretendon se disa mjete ajrore amerikane janë shkatërruar gjatë operacionit. Sipas agjencisë Tasnim, gjatë një operacioni të përbashkët të forcave iraniane, janë goditur “avionë të armikut”.
Një zëdhënës i komandës qendrore të forcave të armatosura iraniane deklaroi se ndër mjetet e rrëzuara përfshihet një avion transporti ushtarak C-130, si dhe dy helikopterë Black Hawk.
Autoritetet iraniane raportuan gjithashtu se është rrëzuar një dron izraelit në të njëjtën zonë, në jug të provincës Isfahan.
Megjithatë, këto pretendime vijnë në një kontekst ku mediat shtetërore iraniane janë akuzuar më herët për shpërndarje të informacionit të pasaktë lidhur me rrëzimin e mjeteve ajrore amerikane dhe izraelite gjatë konfliktit.
Sipas një raportimi të The New York Times, forcat amerikane kanë shkatërruar vetë disa avionë transporti C-130 pasi ata mbetën të bllokuar në një pistë ajrore, për të shmangur rënien e tyre në duart e forcave iraniane.