
Irani po shqyrton mundësinë e goditjes së objektivave ushtarake amerikane në Evropë nëse presidenti Donald Trump urdhëron një përshkallëzim të ri të konfliktit, sipas burimeve pranë regjimit iranian të cituara nga Financial Times.
Sipas dy personave të afërt me regjimin, forcat iraniane kanë analizuar mundësinë e sulmeve ndaj aseteve amerikane në vende të Evropës Juglindore, përfshirë Bullgarinë, e cila muajin e kaluar miratoi përdorimin e bazës ajrore Bezmer për avionët amerikanë të furnizimit me karburant.
Një prej burimeve tha se në skenarët e mundshëm të hakmarrjes është përfshirë edhe Qiproja, ku një bazë ushtarake britanike u godit nga një dron në mars.
Teherani kërcënon me zgjerimin e konfliktit
Sipas burimeve të Financial Times, Ushtria iraniane ka shqyrtuar gjithashtu mundësinë e sulmeve ndaj kabllove nënujore të fibrave optike në ngushticën e Hormuzit, në rast të një përshkallëzimi të ri.
Këto zhvillime vijnë në një klimë gjithnjë e më të tensionuar në Teheran, ku një pjesë e regjimit po e konsideron rifillimin e luftës me SHBA-të si një çështje kohe.
Situata është komplikuar edhe më tej pas forcimit të krahut konservator në strukturat e sigurisë dhe ushtrisë iraniane. Ndërkohë, Trump deklaroi të martën se nuk ka bisedime apo negociata të planifikuara me Teheranin.
Garda Revolucionare dhe komandantë të tjerë ushtarakë iranianë kanë paralajmëruar se në një konflikt të ri të shkallës së gjerë, Teherani mund të zgjerojë objektivat përtej bazave amerikane dhe infrastrukturës në Lindjen e Mesme.
Evropa mund të bëhet pjesë e konfliktit
Sipas njërit prej burimeve, nëse SHBA-të godasin infrastrukturën iraniane, përgjigjja e Teheranit mund të shtrihet përtej Lindjes së Mesme.
“Irani do të mbrohet me çdo çmim”, tha burimi, duke paralajmëruar se një përshkallëzim i madh mund ta çojë konfliktin deri në Evropë.
Ekspertët, megjithatë, vlerësojnë se kapacitetet iraniane për të goditur objektiva në distanca të mëdha janë reale, por të kufizuara. Sipas studiuesit Sidharth Kaushal të Royal United Services Institute, Irani mund të përdorë raketa balistike me rreze të mesme veprimi kundër objektivave amerikane në Evropën Jugore dhe Juglindore, por efektiviteti i tyre bie me rritjen e distancës.
Ekspertë të tjerë theksojnë se Irani mund të përdorë edhe grupe aleate në rajon për të realizuar sulme indirekte, një strategji që Teherani e ka përdorur prej vitesh.
Irani ka tentuar të godasë objektiva në distanca të largëta
Teherani ka demonstruar më parë synimin për të goditur objektiva shumë larg territorit të tij. Pas nisjes së konfliktit mes SHBA-ve dhe Izraelit, Washingtoni e akuzoi Iranin për lëshimin e disa raketave drejt Diego Garcia, bazës ushtarake amerikano-britanike në Oqeanin Indian, rreth 4 mijë kilometra larg Iranit. Raketa të tilla nuk arritën objektivin.
Në mars, Turqia deklaroi se sistemet e mbrojtjes ajrore të NATO-s kishin interceptuar disa raketa balistike të lëshuara nga Irani. Në të njëjtën periudhë, baza britanike në Akrotiri të Qipros u godit nga një dron, për të cilin zyrtarët perëndimorë dyshuan se mund të ishte iranian, megjithëse sulmi mund të ishte kryer nga grupe aleate të Teheranit në rajon.
Sipas burimeve iraniane të cituara nga Financial Times, një sulm i muajit të kaluar ndaj një baze amerikane në Jordani, ku u vranë tre ushtarakë amerikanë, ishte një nga operacionet më të sakta të Iranit në distanca të largëta.
Diplomacia në ngërç
Kërcënimet e reja vijnë ndërsa përpjekjet diplomatike për të rihapur ngushticën e Hormuzit dhe për të rikthyer negociatat mes Iranit dhe SHBA-ve kanë ngecur.
Një marrëveshje e përkohshme e arritur në qershor u rrëzua muajin e kaluar pas sulmeve iraniane ndaj anijeve në ngushticë dhe akuzave reciproke për shkelje të marrëveshjes. Pas kësaj, palët kanë shkëmbyer sulme dhe SHBA-ja ka rikthyer bllokadën ndaj porteve iraniane.
Në Teheran, forcimi i figurave të vijës së ashpër po shihet si një sinjal se perspektivat për një marrëveshje afatgjatë janë zbehur. Udhëheqësi suprem Mojtaba Khamenei ka emëruar ish-komandantin e Gardës Revolucionare, Mohsen Rezaei, në një post të lartë të sigurisë.
Për Perëndimin, shqetësimi kryesor është se një konflikt i ri mund të mos mbetet më i kufizuar në Lindjen e Mesme. Për Iranin, nga ana tjetër, kërcënimi për të goditur objektiva amerikane në Evropë duket se po përdoret si mjet parandalimi dhe presioni ndaj Uashingtonit, në përpjekje për të rritur koston e çdo sulmi të ardhshëm.
Megjithatë, mbetet e paqartë nëse Teherani do të ishte realisht i gatshëm të ndërmerrte sulme në territorin evropian, pasi një veprim i tillë do të rrezikonte një përshkallëzim shumë më të gjerë të konfliktit me SHBA-të dhe aleatët.