
Mbi 2 mijë persona u mblodhën në një park në San Diego për t’i dhënë lamtumirën tre burrave që humbën jetën gjatë sulmit ndaj xhamisë më të madhe të qytetit.
Viktimat, roja i sigurisë Amin Abdullah, 51 vjeç, Mansour Kaziha, 78 vjeç dhe Nadir Aëad, 57 vjeç, u vranë ndërsa përpiqeshin të ndalonin dy adoleshentët e armatosur që hapën zjarr në Qendrën Islame të San Diegos gjatë orarit të shkollës. Ceremonia mortore islame, Janazah, u zhvillua mes emocioneve, ku morën pjesë edhe policë me uniformë dhe besimtarë nga shtete të ndryshme të Amerikës.
Të pranishmit i kujtuan tre burrat si heronj që sakrifikuan jetën për të shpëtuar fëmijët dhe personelin e qendrës islame. Sipas policisë, roja Amin Abdullah arriti të aktivizonte menjëherë izolimin e objektit dhe të paralajmëronte stafin përmes radios, duke u dhënë kohë nxënësve të fshiheshin në klasa dhe depo. Ndërkohë, Nadir Auad dhe Mansour Kaziha vrapuan drejt xhamisë sapo dëgjuan të shtënat për të ndihmuar besimtarët dhe fëmijët që ndodheshin brenda. Autoritetet besojnë se veprimet e tyre shmangën një masakër edhe më të rëndë.
Imami i qendrës, Taha Hassane, deklaroi se komuniteti mysliman është plagosur rëndë nga sulmi, por mbetet i bashkuar dhe i fortë. Ai theksoi se njerëz nga e gjithë Amerika udhëtuan drejt San Diegos për të marrë pjesë në ceremoninë mortore dhe për të treguar solidaritet me komunitetin mysliman. Sulmi ka rritur frikën dhe shqetësimin mes myslimanëve në SHBA, në një kohë kur rastet e islamofobisë dhe gjuhës së urrejtjes janë shtuar ndjeshëm.
Policia e San Diegos po e heton ngjarjen si një sulm të mundshëm të motivuar nga urrejtja fetare. Shefi i policisë, Scott Uahl, deklaroi se autoritetet po e konsiderojnë rastin si krim urrejtjeje, derisa të provohet e kundërta.
Dy autorët e dyshuar u larguan nga vendi i ngjarjes pas sulmit dhe më vonë u gjetën të vdekur nga plagë të vetëshkaktuara me armë zjarri. Ngjarja ka tronditur opinionin publik amerikan dhe ka nxitur reagime të shumta për mbrojtjen e komuniteteve fetare nga ekstremizmi dhe dhuna.