Agjentët e Policisë së Komisariatit të Spoletos në Itali kanë arrestuar një të ri shqiptar, i cili në tentativë për t’iu shmangur kontrollit policor, ka gëlltitur një zarf që përmbante lëndë narkotike kokainë.
Ngjarja ka ndodhur më 24 maj, kur gjatë patrullimeve në Pontebari, zonë e frekuentuar zakonisht nga trafikantë dhe shpërndarës droge, policët kanë vënë re një të ri, i cili është frikësuar kur i ka parë. Pas dëshmisë në polici se kishte gëlltitur lëndën narkotike, i riu iu nënshtrua një ekzaminimi dhe terapie me ilaçe për të shmangur rreziqet që mund t‘i vinin në shëndet. Ndërsa i riu u shpreh se nuk kishte asnjë shpjegim për sjelljen e tij.
Sipas policisë italiane, i riu shqiptar rezulton se është ndaluar edhe një herë në të njëjtin vend ku i janë gjetur 11 pako me kokainë gati për shitje. Në përfundim të aktgjykimit në lidhje me këtë rast, shqiptari i arrestuar në Itali u dënua me 8 muaj burg.