Haradinaj: Serbia të ndalë kërcënimet, gjuha e të fuqishmit i takon së shkuarës

21 August 2023, 20:21Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Haradinaj: Serbia të ndalë kërcënimet, gjuha e të
Kryetari i AAK, Ramush Haradinaj

Kryetari i partisë AAK në Kosovë, Ramush Haradinaj ka reaguar pas kërcënimeve të ministrit serb të Mbrojtjes ndaj Malit të Zi dhe Maqedonisë së Veriut.

Millosh Vuçeviç tha se njohja e pavarësisë së Kosovës nga dy vendet e rajonit do të krijojë probleme për ta.

Por Haradinaj i bën thirrje Serbisë të ndalë gjuhën e kërcënimeve dhe të mos harrojë se me Kosovën ka një marrëveshje të planit franko-gjerman me mbështetje të SHBA-së.

Mesazhi i plotë i Haradinajt:

Serbia po flet me gjuhën e të fuqishmit dhe po kërcënon vendet e rajonit që e kanë njohur Kosovën, dhe po paralajmëron edhe vendet e tjera që do ta njohin Kosovën.

Kjo gjuhë i takon të kaluarës dhe kjo gjuhë i shkaktoi tragjeditë, plagët e të cilave ende i vuajnë popujt e Ballkanit.

Vendet e lira, në vendimet e tyre të bazuara në interesin e tyre nacional, e kanë njohur Kosovën.

Serbia duhet ta ndal gjuhën e të fuqishmit, të ndal kërcënimet dhe mos të harrojë se e ka një marrëveshje me Kosovën, planin franko-gjerman të përkrahur nga Amerika, dhe t'i kthehet gjuhës së arsyes.

Kosova nuk do të ndalet nga rruga e vet drejt integrimeve euroatlantike. Do të ishte e mençur për Serbinë, që të lëviz nga "status quo" në të cilën gjendet.


Video