Rreth 300 kg kokainë e pastër është kapur nga DEA amerikane në bashkëpunim me policinë greke në qytetin e Selanikut. Droga ishte fshehur në një ngarkesë bananesh që vinte nga Amerika e Jugut.
Mediat greke raportojnë se ka qenë DEA amerikane ajo që ka njoftuar policinë greke për ngarkesën e drogës dhe këta të fundit kanë ndërhyrë në momentin kur lënda narkotike nisi të shkarkohej në magazinën e trafikantëve.
Policia ka arrestuar katër shtetas britanikë në kuadër të këtj operacioni. Dy prej të arrestuarve janë drejtues të një rrjeti ndërkombëtar të trafikut të drogës
Mësohet se kokaina e kapur kapte një vlerë prej mbi 10 milionë eurosh. Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar dhe një pistoletë, dy paisje GPS, si dhe dy vetura, një motor dhe një fugon.
Policia greke në kuadër të këtij operacioni ka vënë në pranga katër shtetas britanikë, anëtarë të organizatës së trafikut të drogës. Sipas autoriteteve greke, kjo organizatë ka lidhje dhe me një tjetër sasi droge prej 654 kg kokaine të kapuar në muajin prill të këtij viti në Itali.
Policia ka sekuestruar:
• 297 kg e 257 gram kokainë, e ndarë në 260 pako,
• pistoletë që përmban 9 fishekë,
• kuti që përmban 41 fishekë,
• 2 radio portative,
• 2 interferometra sinjalesh,
• 2 pajisje elektronike pozicionimi,
• 1000 euro, të ardhura nga trafiku i drogës,
• dorashka pune, shirita izolues, prerëse letre metalike dhe
• 11 telefona celularë që i përdornin për transaksionet e tyre të paligjshme si dhe 3 pako lidhje të telefonisë celulare.