Kryeministrja italiane Giorgia Meloni ka hedhur poshtë idenë e një ndërhyrjeje ushtarake amerikane në Groenlandë, duke e cilësuar të papranueshme dhe të padobishme për këdo.
“Nuk besoj në hipotezën që SHBA-të të nisin një aksion ushtarak në Groenlandë, të cilin nuk do ta mbështesja” dhe “që nuk do t’i shërbente askujt”, kështu u shpreh kryeministrja Giorgia Meloni, pavarësisht se Trump ka lënë të kuptojë se po e shqyrton një opsion të tillë.
Sipas saj, hipoteza e një ndërhyrjeje për të marrë kontrollin e Groenlandës është përjashtuar si nga Rubio ashtu edhe nga vetë Donald Trump.
“Unë besoj se administrata Trump, me metodat e saj shumë të ashpra, po vë në dukje rëndësinë strategjike të Groenlandës për interesat dhe sigurinë e saj. Është një zonë ku veprojnë shumë aktorë të huaj dhe mendoj se mesazhi i SHBA-ve është se nuk do të pranojnë ndërhyrje të tepruara nga aktorë të jashtëm”, shtoi ajo.
Mes të tjerash, Meloni shtoi se shpesh nuk është dakord me Trumpin, duke theksuar se e drejta ndërkombëtare duhet mbrojtur: “Ka shumë gjëra për të cilat nuk jam dakord me Trump, për shembull besoj se e drejta ndërkombëtare duhet mbrojtur gjerësisht. Kur nuk jam dakord, ia them atij, nuk kam vështirësi.”
Meloni theksoi gjithashtu se ishte dakord me presidentin francez Emanuel Macron, i cili së fundmi i kërkoi Europës të angazhohej me Moskën teksa vijonin përpjekjet për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë.
“Mendoj se Macron ka të drejtë lidhur me këtë. Besoj se ka ardhur koha që edhe Europa të flasë me Rusinë. Në këtë fazë të negociatave, nëse Europa vendos të bisedojë vetëm me njërën prej dy palëve, kam frikë se në fund, kontributi që do të japë do të jetë i limituar”, tha Meloni në konferencën e përvitshme të vitit të ri.
Kryeministrja italiane shtoi se BE-ja duhet të emërojë një të dërguar të posaçëm që do të merret drejtpërdrejtë me presidentin rus Vladimir Putin duke shmangur kështu konfuzionin.
Kryeministrja italiane nënvizoi se synimi i saj është të forcojë marrëdhëniet me partnerët evropianë dhe atlantikë, duke parë më shumë “dritat sesa hijet” e bashkëpunimit.
“Drejtimet e politikës sonë të jashtme janë Bashkimi Europian dhe Aleanca Atlantike, siç kujtoi edhe Presidenti Mattarella para disa ditësh. Çfarë do të thotë të mbajmë distancë nga Amerika? Të dalim ndoshta nga NATO, të heqim bazat ushtarake amerikane, të sulmojmë McDonalds? Le të flasim për gjeopolitikë, unë kërkoj dritat më shumë sesa hijet e marrëdhënies së Italisë me partnerët evropianë dhe atlantikë”, përfundoi Meloni.
Kjo deklaratë e Melonit, vjen pasi Shtëpia e Bardhë ka konfirmuar se presidenti Donald Trump dhe ekipi i tij po shqyrtojnë opsione për të blerë Groenlandën dhe se përdorimi i ushtrisë amerikane është “gjithmonë një opsion”.