
Presidenti amerikan Donald Trump deklaroi për “Fox News” se mezi pret të takohet me lideren e opozitës venezueliane, Maria Corina Machado, duke zbuluar se fituesja e këtij viti e Çmimit Nobel për Paqen pritet të vizitojë Shtetet e Bashkuara javën e ardhshme.
Gjatë një interviste në emisionin e Sean Hannity, Trump u pyet nëse planifikon të takohet me Machado-n pas sulmit të fundit amerikan në Venezuelë, i cili çoi në arrestimin e presidentit Nicolás Maduro.
“Nga sa kuptoj, ajo do të vijë diku javën e ardhshme. Pres me padurim ta përshëndes”, u shpreh presidenti i SHBA-së.
Maria Corina Machado e ka lavdëruar Donald Trump-in për rrëzimin e Nicolás Maduro-s dhe ka premtuar se do të kthehet së shpejti në atdheun e saj, duke deklaruar se është e gatshme të fitojë zgjedhjet e ardhshme.
Megjithatë, Trump ka shprehur së fundmi dyshime nëse Machado mund ta qeverisë Venezuelën, duke pretenduar se “ajo nuk ka as mbështetjen dhe as respektin e popullit”.
Donald Trump deklaroi gjithashtu për Fox News se do të nevojitet kohë që Venezuela, ku presidenca aktualisht drejtohet përkohësisht nga Delcy Rodríguez, të jetë në gjendje të shkojë drejt zgjedhjeve.
“Duhet ta rindërtojmë vendin. Ata nuk mund të zhvillojnë zgjedhje”, tha presidenti amerikan. “As nuk do të dinin se si t’i organizonin zgjedhjet në këtë moment”, shtoi ai.
Venezuela është një nga eksportueset më të mëdha të naftës në botë. Pas rrëzimit të presidentit Maduro, Donald Trump deklaroi hapur se SHBA-të do ta “administrojnë” Venezuelën dhe se kompanitë amerikane do të kontrollojnë naftën e saj. Sipas tij, SHBA-të mund të sigurojnë deri në 50 milionë fuçi nafte nga vendi i Amerikës Latine.
Trump bëri të ditur në emisionin e Hannity-t se të premten do të zhvillojë një takim me drejtues të kompanive të naftës, të cilat pritet të investojnë “të paktën 100 miliardë dollarë” në Venezuelë.
Presidenti amerikan paralajmëroi gjithashtu nisjen e sulmeve tokësore kundër karteleve të drogës, duke përfshirë edhe Meksikën. “Do të fillojmë sulme tokësore kundër karteleve. Karteleve sundojnë Meksikën. Është shumë e trishtueshme të shohësh se çfarë po ndodh në këtë vend”, deklaroi Trump.
Që nga fillimi i shtatorit, forcat e armatosura amerikane kanë kryer sulme ajrore në Karaibe dhe Paqësor kundër mjeteve lundruese që dyshohet se transportonin drogë, me një bilanc prej të paktën 107 të vdekurish.