Shkrimtarja e njohur daneze Dorthe Nors analizon me habi lojën e madhe që e sheh vendin e saj përballë një pike kthese epokale: “Në botën ku u rrita, Uashingtoni garantonte sigurinë tonë. Tani NATO mund të ketë një armik brenda vetes.”
Mundësia e një ndërhyrjeje apo edhe “blerjeje” të Groenlandës nga Shtetet e Bashkuara ka shkaktuar tronditje në Danimarkë dhe shqetësim të thellë në mbarë Europën.
Shkrimtarja e njohur daneze Dorthe Nors e përshkruan situatën si një moment historik që vë në pikëpyetje rendin botëror dhe të ardhmen e sigurisë evropiane.
Në një intervistë për La Repubblica, Nors, një nga zërat më të rëndësishëm të letërsisë daneze dhe finaliste e Man Booker Prize në vitin 2017 shprehet se shoqëria daneze po përjeton frikë dhe pasiguri përballë ndryshimeve të papritura në politikën globale.
“Ne danezët jemi të frikësuar. Rendi botëror po ndryshon me shpejtësi. Jemi në një situatë të çuditshme: qëndrojmë, mbajmë frymën dhe presim”, thotë ajo, duke kujtuar se për dekada me radhë SHBA-të kanë qenë shtyllë e sigurisë së Danimarkës dhe e NATO-s.
Deklaratat e kryeministres daneze, Mette Frederiksen, se një sulm amerikan ndaj Groenlandës do të shënonte fundin e NATO-s, sipas Nors, janë të drejta dhe realiste. “Nëse SHBA sulmon një vend aleat, atëherë aleanca ka një armik brenda vetes dhe humbet kuptimin e saj themelor”, thekson shkrimtarja, duke shtuar se kriza është tashmë një çështje evropiane dhe kërkon koordinim të ngushtë mes vendeve të BE-së.
Autorja e vëren me habi lojën e madhe që e sheh vendin e saj përballë një pike kthese epokale: “Në botën ku u rrita, Uashingtoni garantonte sigurinë tonë. Tani NATO mund të gjendej me një armik brenda vetes.”
Sipas saj, Bashkimi Europian duhet të veprojë me kujdes dhe përmes diplomacisë, pasi ideja e një ofensive ushtarake ndaj Groenlandës është ende e paimagjinueshme. “Nuk duhet të braktisim vlerat tona, edhe nëse të tjerët vendosin të ndryshojnë rregullat e lojës”, shprehet ajo.
Nors ndalet edhe te marrëdhëniet mes danezëve dhe groenlandezëve, në një moment kur tensionet janë rritur për shkak të zbulimeve mbi sterilizimet e detyruara të së shkuarës koloniale. Ajo flet për solidaritet të gjerë ndaj popullsisë së Groenlandës, por edhe për keqardhje ndaj përçarjeve të fundit. “Jemi dy popuj të ndryshëm, por me lidhje të thella historike. Sot, rreziku është që Groenlanda të trajtohet sërish si objekt kolonizimi”, paralajmëron ajo.
Duke reflektuar mbi klimën politike globale, shkrimtarja daneze e përshkruan epokën aktuale si një kohë të dominuar nga liderë autoritarë dhe nga polarizimi i ushqyer prej rrjeteve sociale. “Jemi në një epokë të re dhe në një udhëkryq historik. Por Europa ka kaluar edhe më parë periudha të tilla dhe ka mësuar nga to”, përfundon Nors.