Autoritetet zvicerane kanë ndërmarrë një hap të rëndësishëm në hetimin e zjarrit shkatërrimtar që përfshiu barin “Le Constellation” në Crans-Montana gjatë natës së Vitit të Ri. Jacques Moretti, pronari i lokalit, është vendosur në masën e paraburgimit këtë të premte.
Së bashku me bashkëshorten e tij, Jessica Moretti, që është lënë në arrest shtëpie, ai po hetohet në kuadër të një procedure penale për akuza të rënda, përfshirë “vrasje nga pakujdesia, plagosje trupore nga pakujdesia dhe zjarrvënie nga pakujdesia”. Çifti Moretti dyshohet se ka përgjegjësi ligjore lidhur me rrethanat që çuan në shpërthimin e zjarrit dhe pasojat e rënda që ai shkaktoi.
Vendimi për ndalimin e Jacques Morettit vjen pas disa ditësh debatesh dhe reagimesh, pasi disa avokatë dhe përfaqësues ligjorë kishin shprehur habi për faktin se, pavarësisht përmasave të tragjedisë, deri më tani nuk ishte vendosur asnjë masë privuese e lirisë ndaj pronarëve të lokalit.
Zjarri në “Le Constellation” u kthye në një nga tragjeditë më të rënda të viteve të fundit në Zvicër. Bilanci zyrtar flet për 40 viktima, mes të cilëve rreth gjysma ishin të mitur, si dhe 116 persona të plagosur me shkallë të ndryshme dëmtimesh.
Tragjedia preku qytetarë nga 19 shtete të ndryshme, duke i dhënë ngjarjes një dimension ndërkombëtar dhe duke tronditur opinionin publik përtej kufijve zviceranë.
Hetimet janë ende në vijim dhe autoritetet po analizojnë shkaqet e sakta të zjarrit, respektimin e masave të sigurisë në lokal, si dhe përgjegjësitë individuale dhe institucionale. Paraburgimi i pronarit shihet si një sinjal se drejtësia zvicerane po e trajton çështjen me seriozitet maksimal, ndërsa pritet që në ditët në vijim të ketë zhvillime të tjera lidhur me këtë dosje të rëndë penale.