Del për shitje online numri personal i telefonit të kryeministres britanike

3 October 2022, 23:41Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Del për shitje online numri personal i telefonit të kryeministres
Liz Truss

Numrat personalë të telefonit celular të kryeministres britanike Liz Truss dhe ministrave të kabinetit të saj po shiten në internet.

Ato mund të aksesohen në një uebsajt të dyshimtë të SHBA-së për vetëm 7.2 Dollarë , për të cilin ekspertët kibernetikë paralajmërojnë se mund të përdoren nga Kina dhe Rusia për të spiunuar figura të larta të qeverisë.

Një gazetar i “Mail on Sunday” gjeti numrin që besohet se i përkiste kryeministres brenda disa sekondash dhe pasi e shtoi atë në WhatsApp, në profil doli një foto e kryeministres.

Krahas Truss, në po të njëtën faqe ndodheshin edhe numrat e 25 ministrave të tjerë të kabinetit, duke përfshirë ministrin  e Financave, atë të Mbrojtjes si dhe ministrin e Jashtëm.

“Ne e marrim sigurinë kibernetike jashtëzakonisht seriozisht dhe kemi agjenci si Qendra Kombëtare e Sigurisë Kibernetike për të ndihmuar bizneset dhe individët të mbrojnë informacionet e tyre personale nga kërcënimet kibernetike“, deklaroi një zëdhënësi i qeverisë.

Ndërsa ekspertët paralajmërojnë se telefonat celularë janë veçanërisht të prekshëm ndaj sulmeve kibernetike, ngelet një mister se kush qëndron pas publikimit të këtyre të dhënave private.

 


Video