Berisha: Me projektin e Portit të Durrësit vidhen miliarda dollarë

10 Prill 2026, 14:03Politikë SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Sali Berisha në një takim në Durrës

Partia Demokratike akuzoi qeverinë për aferë korruptive me projektin e Portit të ri tregtar në Porto Romano. Kreu i PD-së, Sali Berisha, deklaroi se projekti përbën vjedhje publike dhe se kostot do të bien mbi taksapaguesit shqiptarë. Ai paralajmëroi gjithashtu për pasoja në procesin e integrimit evropian dhe premtoi mbrojtje të kësaj pasurie për qytetarët e Durrësit dhe gjithë vendit.

Nga Durrësi, Sali Berisha thotë se një breshëri kushtesh të reja janë vendosur, dhe kjo për shkak të mbrojtjes që kryeministri i bën korrupsionit.

"Një breshëri kushtesh të reja vendosen dhe de facto pas proceseve të mundshme të anëtarësimit të Islandës dhe Norvegjisë, Shqipëria largohet me Edi Ramën me shpejtësi mbrapa nga horizonti. Ky mendon se duke deklaruar se ka më pak korrupsion se ç’kishte bëhet i besueshëm, në një kohë kur të gjithë e kuptojnë se kryehajduti i kombit është vetëm ai", tha Berisha.

Kritikon turin e nisur nga Rama për Punët e Shqipërisë e që në fokus ka edhe informimin për integrimin, duke shigjetuar drejtpërdrejtë ata që marrin pjesë në takimet e kreut të qeverisë.

"Ai nuk takohet me qytetarët, takohet me patronazhistët, një racë kriminelësh elektoralë, të cilët janë absolutisht, drejtësia për ta nuk vonon dhe do të dënohen, ndëshkohen si kriminelë elektoralë në këtë vend", vijoi Berisha.

Gjatë takimit në Durrës, Berisha foli gjatë për projektit portit të ri, duke akuzuar se synimi është vjedhja dhe se transferimi në Porto Romano deformon funksionin strategjik të portit dhe i shërben interesave private.

"Ky projekt jo vetëm përvetëson disa miliardë dollarë, por ky projekt i jep një goditje fatale pozicionit gjeostrategjik dhe favoreve që rrjedhin nga ky pozicion. Porti është një ndëshkim madhor edhe për transportin, për çmimin e mallrave. Autoriteti i BE për portet e kishte klasifikuar Durrësin si port të një rëndësie strategjike. zëvendësimi i Portit të Durrësit me një port në Porto Romano 4 herë më të vogël në sipërfaqe është një akt absolutisht fund e krye antikombëtar.

Portin e Durrësit do ta trajtojmë në axhendën tonë si çështje kombëtare të dorës së parë. Mbrojtjen e interesit kombëtar, se nuk është vetëm i qytetarëve të Durrësit, por është i mbarë Shqipërisë, ne do e përcaktojmë këtë si çështje madhore kombëtare, strategjike, të rëndësishme, antikorropsion e me radhë. Nuk ka, i tejkalon të gjitha të tjerat. I tejkalon në rrafshin monetar, në përmasat e vjedhjes, në interesin strategjik dhe kombëtar të vendit. Nuk mund ta lemë këtë njeri të veprojë në këtë mënyrë", tha Berisha.

Berisha tha se dega e Durrësit do të organizojë protesta për të kundërshtuar këtë projekt.


Video