
Armët e zjarrit janë shkaku kryesor i vdekjes së fëmijëve amerikanë nën 19 vjeç. Të dhënat janë publikuar nga Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, që tha se në 2020, mbi 4300 të mituar amerikanë u vranë nga shkrepja e armëve me dhe pa dashje.
Ndërsa vetëvrasjet dhe aksidentet kontribuan në këto shifra, të dhënat tregojnë se vrasjet përbëjnë shumicën e vdekjeve të lidhura me armë. Më shumë se 390 milionë armë janë në pronësi të civilëve amerikanë.
Sipas hulumtimit, i cili u botua këtë javë në New England Journal Medicine, rritja e vdekjeve të lidhura me armë mes amerikanëve midis moshës një dhe 19 vjeç ishte pjesë e një rritjeje të përgjithshme prej 33.4% të vrasjeve me armë zjarri në mbarë vendin.
Vrasjet, vuri në dukje studimi, ndikojnë në mënyrë disproporcionale te të rinjtë amerikanë. Gjatë të njëjtës periudhë kohore, shkalla e vetëvrasjeve me armë zjarri në SHBA u rrit me 1.1 për qind.
Shkalla e përgjithshme e vdekjeve nga armët për të gjitha arsyet - vetëvrasje, vrasje, vrasje të paqëllimshme dhe të pacaktuara midis fëmijëve dhe adoleshentëve u rrit me 29.5 për qind, më shumë se dyfishi i rritjes totale të tyre.
Në vitet e kaluara, vdekjet e lidhura me armët ishin të dytat pas aksidenteve me makinë si shkaku kryesor i vdekjeve tek të rinjtë amerikanë. Vdekjet nga aksidentet, megjithatë, kanë rënë me kalimin e kohës dhe në vitin 2020 rreth 3,900 amerikanë nën 19 vjeç vdiqën në aksidente automobilistike.
Incidentet e mbidozave të drogës dhe helmimeve u rritën me 83.6 për qind mes 2019 dhe 2020 dhe tani janë shkaku i tretë kryesor i vdekjeve në atë grupmoshë. Një studim i veçantë i publikuar më herët në prill zbuloi se 954 të rinj vdiqën nga mbidoza në vitin 2020, krahasuar me 492 në 2019.
Dhuna me armë në SHBA është rritur që nga fillimi i pandemisë Covid-19 në fillim të vitit 2020.