Burime diplomatike bëjnë të ditur për Sky News se një marrëveshje për armëpushim midis Izraelit dhe Hamasit mund të nënshkruhet brenda 24 deri në 36 orëve të ardhshme, nëse bisedimet që po zhvillohen në Egjipt vazhdon me të njëjtin ritëm.
Pas kësaj pike, do të zbatoheshin fazat e marrëveshjes, duke përfshirë një armëpushim dhe lirimin e pengjeve.
Bisedimet po zhvillohen me ndërmjetësimin e Egjiptit dhe Katarit, me mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara. Ato synojnë arritjen e një marrëveshjeje që do të përfshijë ndërprerjen e përkohshme të luftimeve, lirimin e pengjeve nga të dyja palët dhe hapjen e rrugëve për ndihma humanitare në Rripin e Gazës.
Kjo përpjekje për paqe vjen në vazhdën e tensioneve të përshkallëzuara në rajon dhe pas përpjekjeve të mëparshme ndërkombëtare për të rikthyer stabilitetin, përfshirë edhe planin e propozuar nga presidenti amerikan Donald Trump.
Zyrtarët egjiptianë po luajnë një rol kyç në lehtësimin e dialogut, ndërsa vëmendja ndërkombëtare është përqendruar te mundësia për një marrëveshje që do të ndalte përkohësisht gjakderdhjen dhe do të hapte rrugën për bisedime më të gjera për paqe të qëndrueshme.