Nga Ione Wells, korrespondent në Amerikën Latine dhe Joshua Cheetham, BBC
Për dy muaj, ushtria amerikane ka qenë duke ndërtuar një forcë të përbërë nga anije luftarake, avionë luftarakë, bombardues, marinsa, dronë dhe aeroplanë spiunë në Detin e Karaibeve. Është dislokimi më i madh atje prej dekadash. Avionët bombardues me rreze të gjatë, B-52, kanë kryer “demonstrime sulmesh bombarduese” pranë bregdetit të Venezuelës.
Trump gjithashtu ka autorizuar dislokimin e CIA-s në Venezuelë, ndërsa tensionet janë rritur.
SHBA-ja thotë se ka vrarë dhjetëra njerëz në sulme ndaj anijeve të vogla nga Venezuela, për të cilat ajo pretendon se mbartin “narkotikë” dhe “narko-terroristë”, pa dhënë prova apo hollësi, mbi personat, që ndodheshin në bord.
Sulmet kanë hasur në kritika në rajon dhe ekspertët kanë vënë në dyshim ligjshmërinë e tyre.
Sulmet po “shiten” nga SHBA-ja si një luftë kundër trafikut të drogës, por të gjitha shenjat sugjerojnë se në të vërtetë bëhet fjalë për një fushatë frikësimi, që synon ta largojë Presidentin e Venezuelës Nicolás Maduro, nga pushteti.
“Bëhet fjalë për ndryshim regjimi. Ka shumë mundësi që të mos pushtojnë, shpresa është se kjo ka të bëjë me sinjalizimin”, thotë Dr. Christopher Sabatini, një studiues i lartë për Amerikën Latine në institutin “Chatham House”.
Ai argumenton se grumbullimi ushtarak është një shfaqje force e destinuar për të “futur frikë” në zemrat e ushtrisë venezueliane dhe rrethit të ngushtë të Maduros, në mënyrë që ata të veprojnë kundër presidentit të vendit të tyre.
BBC Verify ka qenë duke monitoruar informacione të qasshme publikisht për ndjekjen e anijeve dhe avionëve amerikanë në rajon, së bashku me imazhe satelitore dhe foto në rrjetet sociale, për të krijuar një ide, se ku ndodhen forcat e Trump.
Dislokimi ka ndryshuar, ndaj BBC ka qenë duke monitoruar rajonin rregullisht për përditësime. Që nga 23 tetori, BBC ka identifikuar 10 anije ushtarake amerikane në rajon, përfshirë shkatërrues me raketa drejtuese, anije zbarkimi amfib, dhe cisterna nafte për furnizim në det.

Një shpërblim prej 50 milionë dollarësh që teston besnikërinë e rrethit të ngushtë
Nuk është sekret që administrata amerikane, veçanërisht Sekretari i Shtetit Marco Rubio, do të donte ta shihte Maduron të rrëzuar.
Më herët këtë vit, ai tha për “Fox” se Maduro ishte një “diktator i tmerrshëm” dhe kur u pyet nëse kërkonte që Maduro të largohej, shtoi se SHBA-ja po punon për këtë. “Do të punojmë mbi këtë objektiv”.
Por, edhe për kritikë të hapur të Maduros si Rubio, është e vështirë të kërkosh qartazi ndryshim regjimi të mbështetur ushtarakisht, diçka që opozita venezueliane e ka kërkuar prej kohësh.
Donald Trump bëri fushatë kundër ndryshimeve të regjimeve në 2016, duke premtuar se do të “ndalonte garën për të rrëzuar regjime të huaja”, dhe më vonë dënoi përfshirjen amerikane në “luftëra të pafundme”.
SHBA nuk e njeh Maduron si president të Venezuelës, pasi zgjedhjet e fundit në 2024 u hodhën poshtë gjerësisht ndërkombëtarisht dhe nga opozita në Venezuelë, si as të lira e as të ndershme.
Ambasada amerikane në Caracas u mbyll gjatë presidencës së parë të Trump në vitin 2019.
SHBA-ja ka rritur shpërblimin për informacion që çon në arrestimin e Maduros në 50 milionë dollarë, një nxitje për njerëit, brenda rrethit të tij të ngushtë, që ta dorëzojnë.
Por, kjo nuk ka sjellë asnjë dezertim.
Profesori venezuelian i së drejtës dhe bashkëpunëtor i lartë në ‘think tank’-un “CSIS” për sigurinë kombëtare, José Ignacio Hernández, thotë se 50 milionë dollarë “nuk janë asgjë” për elitat e Venezuelës.
“Ka shumë para për t’u fituar përmes korrupsionit në një shtet të pasur me naftë si Venezuela”, tha ai.
Ish-shefi i Thesarit, Alejandro Andrade, fitoi 1 miliard dollarë në ryshfete, para se të dënohej.
Shumë analistë bien dakord se ushtria venezueliane do të ishte çelësi i çdo ndryshimi regjimi, por që ata të kthehen kundër Maduros dhe ta rrëzojnë, ka shumë gjasa që të kërkojnë premtime për imunitet nga ndjekja penale.
Hernández shton: se edhe vetë ushtarakët do e mendojnë se dhe vetë janë përfshirë në krime. “Ata do të mendojnë, në një mënyrë apo tjetër, që edhe unë jam përfshirë në aktivitete kriminale”.
Profesori i shkencave politike në Universitetin e Çikagos, Michael Albertus, i cili publikon artikuj mbi Amerikën Latine, nuk është i bindur se shpërblimi prej 500 milionë dollarësh do ta bindte rrethin e ngushtë të Maduros, ta dorëzonte atë.
“Udhëheqësit autoritarë janë gjithmonë dyshimtar edhe ndaj rrethit të tyre të ngushtë, dhe për këtë arsye krijojnë mekanizma për t’i mbikëqyrur dhe për të siguruar besnikërinë e tyre”, tha ai.
Sanksionet ekonomike ndaj Venezuelës kanë përkeqësuar krizën tashmë të rëndë ekonomike, por nuk kanë arritur t’i bindin figurat e larta të kthehen kundër presidentit të tyre.
Pse kjo “politikë” me shumë gjasë nuk ka të bëjë vetëm me drogën
Donald Trump ka deklaruar se kjo është një luftë kundër trafikantëve të narkotikëve dhe ka thënë se një anije që SHBA-të goditi më 16 tetor ishte “e ngarkuar kryesisht me fentanil”.
Por fentanili prodhohet kryesisht në Meksikë, jo në Amerikën e Jugut dhe hyn në SHBA përmes kufirit jugor.
“Nuk ka të bëjë me drogën”, thotë Dr. Sabatini. “Por ai ka përdorur gjuhën e opozitës venezueliane që e përshkruan këtë jo thjesht si një diktaturë, por si një regjim kriminal”.
Që nga viti 2020, Departamenti Amerikan i Drejtësisë ka akuzuar Presidentin Maduro për drejtimin e një organizate të trafikut të drogës dhe narko-terrorizmit, gjë që ai e mohon.
Trump ka thënë se ka autorizuar CIA-n të kryejë operacione të fshehta në Venezuelë, pjesërisht për shkak të “drogave që vijnë” nga andej.
Venezuela nuk prodhon sasi të mëdha kokaine – kjo ndodh kryesisht në Kolumbi, Peru dhe Bolivi.
Ka pak trafik kokaine që kalon përmes Venezuelës, për të cilin vetë qeveria e saj pretendon se po e lufton.
Një raport i Administratës Amerikane të Zbatimit të Drogës (DEA) i vitit 2025 thotë se 84% e kokainës së sekuestruar në SHBA vjen nga Kolumbia dhe përmend vende të tjera, por jo Venezuelën në seksionin për kokainën.
Shtatë sulmet e para u kryen në Karaibe, që nuk është një rrugë detare kryesore për trafikun e drogës krahasuar me Oqeanin Paqësor, ku u kryen sulmet pasuese.
SHBA-ja nuk ka dhënë detaje me prova, që Maduro drejton një organizatë të trafikut të drogës.
Maduro e ka mohuar vazhdimisht këtë, dhe nga ana e tij akuzon SHBA-në për imperializëm dhe përkeqësim të krizës ekonomike të vendit, përmes sanksioneve.
Ka raste të njohura të njerëzve pranë tij që janë akuzuar.
Në vitin 2016, një gjykatë federale në Nju Jork dënoi dy nipër të gruas së tij për komplot për të importuar kokainë në SHBA.
Hetimi thoshte se ata planifikonin të përdornin një pjesë të parave për të financuar fushatën politike të gruas së presidentit.
Më vonë u liruan.
Forcimi i pranisë detare dhe ajrore të SHBA-së
Kapja e drogës në det nuk kërkon një forcë aq të madhe sa ajo aktuale amerikane, sipas analistëve ushtarakë.
Përveç anijeve amerikane që i kemi ndjekur rreth Puerto Rikos, ku SHBA-ja ka një bazë ushtarake, imazhet satelitore treguan gjithashtu dy anije rreth 75 milje (123 km) në lindje të Trinidadit dhe Tobagos.
Njëra ishte një kryqëzor me raketa, USS Lake Erie.
Tjetra dukej të ishte MV Ocean Trader sipas Bradley Martin, ish-kapiten i Marinës Amerikane, tani studiues i lartë në “RAND Corp”.
Kjo është një anije tregtare e konvertuar për të mbështetur misione të forcave special, duke u përzier me trafikun komercial.
Mund të mbajë dronë, helikopterë dhe varka të vogla.
Ka një shumëllojshmëri misionesh që mund të mbështesë, përfshirë zbulimin për përgatitje të sulmeve.
Por Martin thekson se prania e saj “nuk do të thotë domosdoshmërisht që po kryhen apo planifikohen aktivitete të tilla”.
SHBA-ja ka forcuar gjithashtu praninë e saj ajrore në rajon, teksa BBC Verify ka identifikuar një numër avionësh ushtarakë amerikanë nëpër Puerto Riko.
Stu Ray, analist i lartë në “McKenzie Intelligence Services”, thotë se një imazh satelitor i marrë më 17 tetor tregon avionë luftarakë F-35 në pistë, ndoshta F-35B.

Këta janë avionë shumë të avancuar “stealth” të vlerësuar për aftësinë e tyre për ngritje të shkurtër dhe ulje vertikale.
Në rrjetet sociale, një pilot privat ndau një video të një droni MQ-9 Reaper, të filmuar në Aeroportin Rafael Hernández në Puerto Riko.
Këta janë përdorur nga SHBA-ja për të kryer sulme dhe zbulim në Afganistan, Siri, Libi dhe Mali.
Më herët në tetor, BBC Verify ndoqi tre bombardues B-52 që fluturuan nëpër Karaibe dhe afër bregut të Venezuelës.
Forcat ajrore amerikane më pas konfirmuan se avionët kishin marrë pjesë në një “demonstrim sulmi bombardues”.

Fluturime të bombarduesve B1 dhe avionëve zbulues P-8 Poseidon gjithashtu janë parë në platformat e ndjekjes së fluturimeve.
Pamje në rrjetet sociale kanë treguar gjithashtu helikopterë ushtarakë që operojnë pranë bregut të Trinidadit dhe Tobagos.
Disa prej tyre janë Boeing MH-6M Little Birds – me nofkën “Killer Eggs” – të përdorura nga forcat speciale amerikane.

Çfarë mund të bëjë CIA brenda Venezuelës
Kur u pyet nëse CIA kishte marrë autoritetin për ta eliminuar Maduro-n, Donald Trump shmangu pyetjen dhe tha se do të ishte “qesharake” të përgjigjej.
Ai gjithashtu ka thënë se SHBA-ja është “duke parë tokën tani”, duke iu referuar operacioneve të mundshme ushtarake në territorin venezuelian.
CIA shihet me shumë dyshim nga shumë njerëz në Amerikën Latine, për shkak të një historie të gjatë ndërhyrjesh të fshehta, përpjekjesh për ndryshim regjimesh, dhe mbështetje për diktatura të djathta ushtarake në të kaluarën, veçanërisht në Kili dhe Brazil.
Ned Price, zëvendës i përfaqësuesit të SHBA-ve në Kombet e Bashkuara dhe ish-analist i lartë i CIA-s dhe këshilltar në Departamentin e Shtetit, tha se veprimet e fshehta të CIA-s mund të marrin “shumë forma.”
“Ato mund të jenë operacione informacioni. Mund të jenë operacione sabotimi. Mund të jenë financim i partive opozitare. Mund të shkojnë deri në rrëzimin e një regjimi. Ka shumë opsione midis nivelit të ulët dhe atij të lartë”.
Sipas vetë përkufizimit të SHBA-së, operacioni mund të përfshijë edhe vetë Maduros.
Dr. Sabatini thotë se, duke qenë se Venezuela nuk është pikë e madhe prodhimi për drogë, nuk ka laboratorë kokaine apo fentanili për t’u “shkatërruar”, por ka pista ajrore ose porte që SHBA-ja mund t’i eliminojë.
“Nëse Trump dëshiron të jetë agresiv, mund të dërgojë një raketë në një kazermë ushtarake. Ka inteligjencë të mirë që tregon se sektorë të caktuar të ushtrisë janë përfshirë në trafikun e kokainës”.
Ose mund të jetë një situatë “sulm i shpejtë”, ku amerikanët të përpiqen të kapin Maduro-n ose disa nga vartësit e tij dhe t’i sjellin para drejtësisë në SHBA.
Pyetja e madhe, argumenton ai, është sa kohë është i gatshëm Trump të mbajë kaq shumë mjete ushtarake amerikane të stacionuara në Karaibe.
Nëse qëllimi kryesor i këtij grumbullimi ushtarak është të kërcënojë Maduro-n, nuk është e qartë nëse kjo është e mjaftueshme për të nxitur dezertime.
Nëse kjo do të shkojë aq larg sa një përpjekje e vërtetë për ta rrëzuar regjimin e Maduros me forcë, është e vështirë të përcaktohet sesi do jetë fundi.