Incidentit të ndodhur në West Palm Beach, të Floridas iu përgjigj edhe FBI, e cila në një reagim që përcjell CNN, tha se “po hetonte atë që duket të jetë një atentat ndaj ish-presidentit Donald Trump”.
“Incidenti në fushën e golfit të Trump duket të jetë një tentativë vrasje”, thuhet në deklaratën e FBI, ku theksohet më tej se po heton “një atentat të dytë për të vrarë Trump”.
Është e para agjenci ligjzbatuese që e formulon diçka të tillë deri në këto momente në fakt, pasi zyrtarët pranë Trump kanë qenë tejet të rezervuar në dhënien e informacionit.
Të shtënat ndodhën në afërsi të qendrës së golfit të Trump. Një person u ndalua nga agjentët e Shërbimit Sekret. Atij iu sekuestrua po ashtu një armë zjarri automatike. Shërbimi Sekret raportohet se hapi zjarr në drejtim të të dyshuarit pasi ai tentoi të arratisej.
Trump ndodhej në qendër duke luajtur golf, ndërsa të shtënat ishin jashtë saj. Stafi i Trump reagoi menjëherë pas ngjarjes duke thënë se ai ishte i sigurt. Pak kohë më pas reagoi edhe vetë Trump, i cili tha se ishte “shëndoshë e mirë”.
“Pati të shtëna me armë zjarri në afërsi të vendit ku po qëndroja. Por përpara se thashethemet të dalin jashtë kontrollit, doja që të dëgjonit këtë: Jam shëndoshë e mirë. Asgjë nuk do më ngadalësojë, nuk do dorëzohem kurrë. Do t’ju dua gjithmonë për mbështetjen tuaj”, tha Trump.
Të shtënat vijnë pas atentatit të dështuar ndaj Trump që ndodhi më 13 Korrik gjatë një tubimi elektoral në Pensilvani. Prej asaj kohe, siguria rreth kandidatit republikan ka qenë e shtuar.