Përplasjet me ish-ambasadorin amerikan Donald Lu dhe debatet për Reformën në Drejtësi. Adriatik Llalla flet për herë të parë për shpalljen e tij non grata nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, duke ngritur pikëpyetje mbi arsyet që çuan në këtë vendim.
Në intervistën me Anisa Bahitin në emisionin “On The Road” në Top News, ish-kryeprokurori thotë se nuk mund të përjashtohet mundësia që përplasjet me diplomatin amerikan të kenë ndikuar në vendimmarrjen e autoriteteve amerikane.
Llalla kujton se ndaj tij nisën hetime për disa çështje pas përfundimit të mandatit, por procesi përfundoi me dënimin për mosdeklarim pasurie.
“Krahas përplasjeve me ambasadorin, debateve kryesisht lidhur me Reformën në Drejtësi, çdo gjë mund të ketë ndikuar”, u shpreh Llalla.
Ai vë në pikëpyetje edhe mënyrën se si u mor vendimi për shpalljen e tij non grata, duke pretenduar se nuk kishte pasur më parë publikime mediatike që ta etiketonin për korrupsion.
“Pra, që të dënohet apo shpallet non grata një zyrtar, duhet të provohet paraprakisht se çfarë baze ka kjo. I jam drejtuar Departamentit të Shtetit, përgjigjja erdhi, vendimi është marrë mbi bazën e opinioneve që ka”, deklaroi Adriatik Llalla.
Nëse do ta kishte sot përballë ish-ambasadorin amerikan Donald Lu, Adriatik Llalla thotë se nuk do të preferonte të hynte sërish në debat me të.
“Nuk do të preferoja të isha më pjesë e debatit me atë zyrtar. Unë pata provuar çfarë është mendimi ndryshe me të dhe nuk dua më të jem pjesë e debatit”, u shpreh Llalla.