Një mesazh politik me ironi i drejtohet Elisa Spiropalit nga Ilirjana Kuçana, e cila e sfidon të mbajë një qëndrim të qartë ndaj zhvillimeve brenda Partisë Socialiste dhe të mos heshtë përballë asaj që e konsideron shkelje të parimeve politike.
Kuçana i kërkon Elisës që në Asamblenë e Partisë, më 14 nëntor, të kërkojë dorëheqjen së bashku me kolegët e saj, ose të mos merret më me politikë.
“Nuk mund të flasësh në Facebook për parime dhe pastaj të votosh në një rresht me Erion Braçen dhe atë tipin e supermarketeve. Elisa, fol dhe mbaje qëndrimin!”, shkruan Kuçana në rrjetet sociale.
Ajo nuk kursen as kritikat ndaj Spiropalit, duke i kujtuar se reagoi vetëm kur iu prek pozicioni politik dhe jo kur, sipas saj, u shkelën parimet.
“Ti ke edhe mëkatet e tua politike. Fole kur t’u prek karrigia, jo kur u shkelën parimet”, shprehet Kuçana.
Ajo pranon se të jesh kritike brenda partisë nuk është e lehtë, pasi, sipas saj, servilët do të sulmojnë fillimisht, por më vonë do të detyrohen të pranojnë të drejtën e kritikëve.
Në këtë kontekst, Kuçana sjell edhe përvojën e saj politike, duke renditur përplasjet me partinë e saj për modelin e primareve, Kodin Zgjedhor, listat e mbyllura, mënyrën e drejtimit, mungesën e meritokracisë dhe fenomenin që ajo e cilëson si “Mulizimi”, referuar Flamur Nokës.
“Unë kam qenë gjithmonë kritike, por kam folur për parimet, jo për karrigen time”, thekson ajo, duke i bërë thirrje Elisës të flasë pa humbur kohë.
Reagimi i plotë i Ilirjana Kuçanës:
Elisa, ose fol, ose lëre politikën!
Në Asamblenë e Partisë, më datë 14, kërkojuni dorëheqjen bashkë me shokët e shoqet, ose mos u merrni më me politikë.
Nuk mund të flasësh në Facebook për parime dhe pastaj të votosh në një rresht me Erion Braçen dhe atë tipin e supermarketeve.
Elisa, fol dhe mbaje qëndrimin!
Ti ke edhe mëkatet e tua politike. Fole kur t’u prek karrigia, jo kur u shkelën parimet.
E di që nuk është e lehtë të jesh kritike brenda partisë tënde. Servilët do të hidhen të gjithë kundër teje, por më vonë do të vijnë të të japin të drejtë.
Unë kam qenë gjithmonë kritike, por kam folur për parimet, jo për karrigen time.
Kam dalë kundër partisë sime për modelin e primareve, Kodin Zgjedhor, listat e mbyllura, mënyrën e drejtimit të partisë, mungesën e meritokracisë, servilizmin dhe fenomenin e “Mulizimit”.
Elisa, fol sa je në kohë!
Asgjë nuk duhet ta ndalë Shqipërinë në rrugën ku është nisur. Vendi ka nevojë për ndryshime rrënjësore, për një elitë të re politike, një model të ri dhe një qasje të re.
Shqipëria është aleate e SHBA-së dhe anëtare e NATO-s. Kjo kërkon demokraci të vërtetë, institucione të forta dhe përgjegjësi politike.
Elisa, nuk ke nevojë të jesh puçiste, por realiste! Shikoje Marjanën sa respekt ka fituar.
Nuk mund të jesh kritike vetëm kur të preket karrigia. Duhet të flasësh edhe kur shkelen parimet.
Dhe, meqë ra fjala, andej përtej oqeanit, nga janari mund të hapet një hetim për çështjen e Zvërnecit. Mos harro se edhe Skënderbeu është aty si person në dijeni.
Një miku im thotë: “Kur një kamion vjen me 200 km në orë, hapja rrugën se të merr përpara!”
Elisa, fol para se të vijë kamioni. Dil nga rruga, mos u bëj pjesë e përplasjes dhe mos lejo të të marrë përpara bashkë me Belën dhe Palloshin!
Sepse koha e heshtjes dhe e servilizmit po mbaron.