Muaji gusht dhe fillimi i shtatorit kanë sjellë zhvillime të rëndësishme në Parkun Arkeologjik të Amantias, ku janë zbuluar elementë të rinj dhe janë realizuar projekte restaurimi mbi monumentet ekzistuese.
Gjatë gërmimeve arkeologjike është zbuluar muri rrethues i qytetit të poshtëm të Amantias, një strukturë e panjohur më parë për studiuesit. Sipas arkeologëve, ky mur mendohet të jetë ndërtuar në shekullin III para Krishtit dhe të jetë shkatërruar në shekullin VI pas Krishtit. Ky fortifikim i fuqishëm hedh dritë mbi organizimin urban dhe publik të qytetit ilir, duke shtuar një kapitull të ri në historinë e kësaj qendre antike.
Krahas gërmimeve, janë kryer edhe ndërhyrje restauruese dhe konservuese mbi varret monumentale dhe disa monumente të tjera të evidentuara vitet e fundit, të cilat rrezikoheshin nga agjentët klimatikë si ngricat dhe shirat.
Sipas specialistëve, këto punime janë të domosdoshme për ruajtjen e trashëgimisë arkeologjike, ndërsa zbulimet e reja pasurojnë peizazhin historik të Parkut të Amantias. Ato sjellin të dhëna të reja për jetën e qytetit ilir, duke garantuar njëkohësisht që këto vlera të prezantohen për vizitorët e sotëm dhe të ruhen për brezat e ardhshëm.
Edhe kryeministri Edi Rama ka reaguar për këtë zbulim përmes një postimi në rrjetet sociale, ku theksoi se ky fortifikim i fuqishëm hedh dritë mbi organizimin urbanistik dhe publik të qytetit ilir, duke i shtuar një kapitull të ri historisë së kësaj qendre antike.
“Ndërkohë, specialistët kanë realizuar edhe një ndërhyrje restauruese të domosdoshme për mbrojtjen e varreve monumentale, si dhe punime të tjera konservuese mbi monumentet e evidentuara vitet e fundit, duke pasuruar kështu peizazhin arkeologjik të Parkut Antik”, shkruan Rama.