Zbulimi i qytetit 3 800-vjeçar në shkretëtirën e Perusë që rishkruan historinë e Amerikës

14 Shtator 2025, 15:26Histori SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Zbulimi i qytetit 3 800-vjeçar në shkretëtirën e Perusë që rishkruan historinë e Amerikës

Heather Jasper - BBC

Në kodrat e shkretëtirës së Perusë, arkeologët kanë zbuluar një qytet 3 800 vjeçar që mund të rishkruajë mënyrën se si e kuptojmë djepin e qytetërimit në Amerikë.

Katër orë larg kryeqytetit të Perusë, Lima, pjerrësitë e Luginës Supe duken gati surreale. Fushat e shkreta ku dominon era e fortë, muret e rrënuara dhe nxehtësia përgjatë gjithë shkretëtirës.

Është e vështirë të imagjinohet se në këto pjerrësi të thata dikur ka jetuar një nga qytetërimet e para të mëdha në botë, një zbulim i ri që mund të rishkruajë historinë e Amerikës.

Në korrik të këtij viti, arkeologia peruane, Dr. Ruth Shady, prezantoi Peñico, një qytet 3 800 vjeçar të qytetërimit të lashtë Caral të Perusë. Me 18 struktura, përfshirë tempuj ceremonialë dhe komplekse banimi! Më e rëndësishmja, ai ofron prova të reja se populli Caral i përshtatej katastrofave klimatike.

Kodra paqësore e Amerikës

Shumë para se të shfaqeshin aztekët (popull indigjen i Amerikës së Mesme), majat (një nga civilizimet më të njohura indigjene të Amerikës Qendrore) apo inkat (civilizim i madh indigjen i Amerikës së Jugut), bregdeti i thatë i Perusë ishte shtëpia e Caral, një nga shoqëritë më të lashta dhe më paqësore në botë.

Zbulimi i qytetit 3 800-vjeçar në shkretëtirën e

Vendbanimi kryesor i tyre, Caral-Supe, i konsideruar si djepi i qytetërimit në Amerikë dhe pjesë e listës së UNESCO-s që nga viti 2009, lulëzoi rreth 5 mijë vjet më parë, paralelisht me qendrat urbane më të hershme të Mesopotamisë dhe Egjiptit në anën tjetër të globit.

Por, ndryshe nga vendet e vjetra të botës, Caral nuk kishte mure mbrojtëse dhe studiuesit nuk kanë gjetur asnjë provë të armëve. Kur Shady filloi gërmimet në Caral në vitin 1994, ajo zbuloi një shoqëri të ndërtuar mbi tregti, muzikë, rituale dhe konsensus.

Sipas gjetjeve të Shady, rreth 3 mijë njerëz jetonin në Caral, plus disa fshatra më të vegjël përreth.

Pozicioni strategjik i Luginës Supe lidhte bregdetin e Paqësorit me luginat pjellore dhe me Amazonën e largët, duke krijuar një rrjet shkëmbimesh kulturore dhe tregtare. Populli Caral kultivonte pambuk, patate të ëmbla, kunguj, fruta dhe speca djegës, duke i shkëmbyer për minerale nga malet dhe majmunë të vegjël dhe papagaj nga Amazona si kafshë shtëpiake. Për më tepër, ata mblidhnin guaskat, algat dhe peshqit përgjatë bregdetit.

“Kishin marrëdhënie ndërkulturore me njerëzit e xhunglës, malet dhe largësi të mëdha deri në Ekuador dhe Bolivi, por gjithmonë në paqe,” tha Shady.

Arkitektura dhe arti

Amfiteatri i qytetit ishte rezistent ndaj tërmeteve me një dizajn akustik unik për koncerte të mëdha.

Janë zbuluar deri tani 32 instrumente muzikore (flaut), disa të gdhendura me kockat e pelikanit dhe të tjera të dekoruara mjaft bukur, një dëshmi materiale e tregtisë dhe përfshirjes kulturore.

“Me këto instrumente ata mirëpritnin njerëzit nga bregdeti, malet dhe xhungla në rituale dhe ceremoni,” tha Shady.

Zbulimi i qytetit 3 800-vjeçar në shkretëtirën e

Rënia në shkretëtirë

Pavarësisht suksesit shoqëror, Caral u përball me një sfidë të madhe: klimën. Rreth 4 mijë vjet më parë, një thatësirë 130-vjeçare, pjesë e një ndryshimi global që ndikuar edhe në Mesopotami, Egjipt dhe Kinë, çoi në dështimin e kulturës apo infrastrukturës. Sheshet dhe piramidat monumentale të Caral u braktisën në shkretëtirë.

“Ndryshimet klimatike shkaktuan një krizë në Caral”, thotë Shady. “Lumet dhe fushat thanë. Duhej të braktisnin qendrat urbane, siç ndodhi edhe në Mesopotami.”

Për vite me radhë, ekipi i Shady besonte se të mbijetuarit e uritur kishin ikur drejt bregdetit ku mund të mblidhnin guaska dhe peshq. Gërmimet në Vichama, një vend pranë Luginës Huaura, dukej se e mbështesnin këtë ide.

Por zbulimi i fundit i Peñico tregon një histori tjetër.

Peñico

I ndërtuar mbi lumë nga Caral, në 600 metra mbi nivelin e detit dhe vetëm 10 km nga Caral-Supe, Peñico tregon se si disa nga njerëzit e Caral përshtateshin duke u zhvendosur më afër burimeve të ujit të akullnajave. Aty ku lumenjtë kishin tharë, afërsia me malin, ku shkrinin akujt, siguronte mbijetesë.

Ajo që e bën këtë të jashtëzakonshme nuk është vetëm zhvendosja, por mënyra se si shoqëria u përshtat. Nuk ka prova të luftës, armëve apo mureve të fortifikuara në Peñico, një gjë e rrallë për atë kohë.

Janë zbuluar edhe copëza mbi artin apo ritualet.

Zbulimi i qytetit 3 800-vjeçar në shkretëtirën e

Ekipi i Shady ka gjetur figura të sofistikuara prej balte, varëse me perla dhe kocka të gdhendura, përfshirë një që duket si kafkë njerëzore.

Një skulpturë mbresëlënëse paraqet kokën e një gruaje me një stil flokësh unik, fytyrën e saj të pikturuar me hematit të kuq. Këto objekte sugjerojnë se edhe me një popullsi të vogël, komuniteti investonte në shprehjen kulturore për të ruajtur identitetin dhe kohezionin.

Vendi tashmë është i hapur për vizitorët që mund të eksplorojnë tempujt dhe komplekset e banimit.

Një qendër e re vizitorësh me ekspozita ka një dizajn të rrumbullakët që pasqyron një nga tiparet më tërheqëse të Caral dhe Peñico, sheshet qendrore rrethore. Këto sheshe ndodhen në pjesë të qyteteve që arkeologët teorikisht i shohin si zona administrative, dëshmi e një shoqërie që mund të ketë funksionuar mbi konsensus, ndoshta me një strukturë të ngjashme demokratike si Greqia rreth 2 mijë vjet më vonë.

Mësime nga e kaluara

Duke qëndruar në sheshet e Peñico, është e jashtëzakonshme të mendosh se si një shoqëri e lashtë iu përgjigj krizës me përshtatje dhe jo me dhunë. Strategjia e tyre e mbijetesës, zhvendosja më afër ujit, ruajtja e shkëmbimeve tregtare dhe mbajtja e artit dhe ritualeve, është një kujtesë 3 800 vjeçare se bashkëpunimi krijon mbijetesë edhe në kohë stresi ekstrem.

Sot, Peru ende mbështetet te akullnajat për furnizimin me ujë, por ka humbur 56% të akullit tropikal në 58 vitet e fundit.

Zbulimi i qytetit 3 800-vjeçar në shkretëtirën e

“Ka shumë gjëra që duhet të bëjmë përballë ndryshimeve klimatike,” thotë Shady për atë që e quan “mësimet e nxjerra nga Peñico”.

“Duhet të ndryshojmë mënyrën se si e shohim jetën dhe ndryshimet që po ndodhin në planetin tonë që shoqëria njerëzore të vazhdojë me një cilësi të mirë jetese dhe respekt të ndërsjellë.”



Video