Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ka njoftuar nënshkrimin e një marrëveshjeje të rëndësishme për ruajtjen e trashëgimisë kulturore në qytetin e Durrësit.
Nëpërmjet një bashkëpunimi me Shoqërinë Koncesionare “PORTI MBM”, do të financohen ndërhyrjet restauruese në monumentin e kategorisë së parë “Muret e Portës (Porto Romano)”, që datojnë në shekullin VI të erës sonë.
“Ky është një hap i rëndësishëm për të shpëtuar një nga dëshmitë më të hershme të historisë urbane të Durrësit, duke e kthyer atë në një vlerë të gjallë të trashëgimisë sonë kulturore”, u shpreh ministri Gonxhja.
Sipas marrëveshjes, “PORTI MBM” do të mbulojë të gjitha shpenzimet e restaurimit, i cili do të kryhet në përputhje me kriteret e mbrojtjes së trashëgimisë. Monumenti do të jetë i aksesueshëm për publikun, ndërsa mirëmbajtja dhe menaxhimi do të vijojnë nga institucionet përgjegjëse shtetërore.
Kjo nismë synon jo vetëm ruajtjen, por edhe rijetëzimin e një prej monumenteve më të çmuara historike të Durrësit.