Ramadan Xhangolli, një jete mes ekstremesh

17 Qershor 2024, 10:31Histori SHKRUAR NGA NGA PROF. DR. AVNI XHELILI
Ramadan Xhangolli

Nga Prof. dr. Avni Xhelili

Ramadan Tele Xhangolli lindi 104 vjet më parë, më 5 maj të vitit 1920, në Shënepremte të Gramshit, një fshat i madh malor me natyrë të bukur e me njerëz atdhetarë, punëtorë e bujarë. Midis shumë familjeve të tjera në Shenepremte spikaste edhe fisi i Xhangolajve. Tre vëllezërit Hysen, Tele e Reshit Xhangolli, nën ndikimin e vëllait më të madh, Hysenit, i kthyer në vendlindje pas disa vitesh emigrim, ishin burra në zë në gjithë krahinën. Telja, babai i Ramadanit, ne zgjedhjet e vitit 1924 u zgjodh kryetar i komunës Shenëpremte. Së bashku me djemtë dhe nipin (djalin e Hysenit) u rreshtuan në formacionet e Luftës Antifashiste Nacional-Clirimtare. Vëllai tjetër,  Reshiti, mori pjesë aktive në çetat e Mahmud Xhelilit e Malkë Zvarishtit, të cilat thyen sulmet e andartëve grekë që kishin mbërritur deri në kufijtë e Shënepremtes në vitet 1913-1914.

Në ketë mjedis familjar dhe shoqëror u rrit Ramadan Xhangolli. Fëmijëria e tij nuk dallonte nga e ajo e bashkëmoshatarëve të tjerë, të lindur dhe rritur në Shënepremte me vështirësitë e mungesat e kohës. I nisi klasat e para të shkollës në fshatin e tij, por i përfundoi në Grabovën e Sipërme, sepse shkolla e Shënepremtes nuk funksionoi për disa kohë. Me nxitjen e prindërve dhe falë dhuntive të tij ndoqi Shkollën Teknike të Tiranës, e cila njihet edhe si shkolla me emrin e drejtorit të saj amerikan Harry Fulltz. Maturantët që mbaronin këtë shkollë, ishin të kërkuar nga sektorë të ndryshëm të ekonomisë së vendit. Një fat i tillë ndoqi edhe Ramadanin e ri, i cili u dërgua për të punuar në Korçë. Atje ai pati mundësinë të vazhdojë edhe Liceun e Korçës, ndërsa më 1939 punon si sekretar i Bashkisë.

Nëse në fillimet e saj historia jetësore e Ramadan Xhangollit ishte tipike, e zakonshme, si e shumë e shumë bashkëmoshatarëve të tjerë, periudha tjetër që fillon me Korçën rrodhi në mënyrë atipike. Cilësitë dhe dhuntitë e tij të veçanta, virtytet e trashëguara nga prindërit si atdhedashuria, ndershmëria, dëshira për arsimim, gatishmëria për t’i shërbyer vendit dhe shoqërisë kudo ku kishte nevojë,  e shkëputën atë nga shumë bashkëmoshatarë të tjerë.

Në Korçë, në moshë fare të re, ai ra në kontakt me idetë komuniste, të përhapura nga grupet komuniste që vepronin në këtë qytet. Në vitin 1936 merr pjesë në demonstratën e madhe që ka hyrë në histori si “demonstrata e bukës”, por në të vërtetë ishte një aksion i madh popullor antizogist i organizuar nga komunistët e Korçës. Në këtë qytet ai u identifikua si antizogist dhe ithtar i ideve komuniste.

Ramadan Xhangolli, një jete mes ekstremesh
Prof. dr. Avni Xhelili

Mbas pushtimit fashist të Shqipërisë, Ramadani u përfshi në lëvizjen antifashiste që kishte shpërthyer në qytetin e Korçës. Me të gjitha energjitë e një të riu 21 vjeçarmori pjesë aktive në demonstratën e 8 nëntorit të vitit 1941, kur populli i Korçës u ngrit kundër fashistëve italianë. Në këtë demonstratë, siç dihet, pas përleshjeve të përgjakshme me policinë e kohës, ra dëshmor heroi i popullit Koci Bako. 

Pjesëmarrja e Ramadan Xhangollit në këto aksione përmendet edhe nga Naxhije Dume, në atë kohë sekretare e komitetit të gruas komuniste të Korçës, ndërsa pas vitit 1943 ishte një nga 15 anëtarët e Komitetit Qendror definitiv të PKSH-së. Midis të tjerash ajo kujton: “Në Korçë, ku gëlonte aktiviteti i njësiteve guerile, u njoha kryesisht me anëtarët e Qarkorit edhe me komunistë të rinj e të vjetër si Nexhip Vinçani, Ymer Dishnica, Nella, Raqi dhe Nesti Kerenxhi, Ramadan Xhangolli, Koço Theodhosi, Kleopatra Maliqi, Nasi Gjoka, Kiço dhe Raqi Shamblli, Sotir Manushi, Andrea Ziu dhe disa të tjerë”.

Korça për Ramadanin u bë “habitati” ku filluan të rrënjoseshin tek ai bindjet komuniste,  ku formoiidentitetin politik,çka nxiti tek ai të riun e angazhuar; ishte mjedisi ku filloi të gëzonte respektin e anëtarëve dhe simpatizantëve të grupit komunist të Korçës, ku filloi të njihej dhe të respektohej  prej tyre si njeri i aksioneve. 

Aktiviteti i Ramadanit rritet veçanërisht në vitet e LANÇ, ku bashkëluftëtarët e thërrisnin me pseudonimin “Xhakoja”. Ai punoi shumë për shtimin e radhëve partizane me të rinj e të reja. Në Kongresin e parë të BRASH-it, i cili u mbajt nga 8 deri 17 gusht të vitit 1944 në Helmës të Skraparit, Ramadan Xhangolli zgjidhet sekretar organizativ i BRASH-it. Së bashku me Nako Spiron punoi për një kohë relativisht të gjatë me shtypin e partisë. Deri në çlirimin e plotë të vendit kreu detyra të rëndësishme në zonën e parë operative. Merr pjesë në Kongresin e Përmetit.

Mbas çlirimit të vendit Ramadani caktohet zëvendësministër i bujqësisë, ndërsa në vitet 1948-50 dërgohet për studime në Bashkimin Sovjetik, të cilat i përfundon shkëlqyeshëm. Pas mbarimit të studimeve punon në aparatin e Këshillit të Ministrave. Në vitet 1952-1953 dërgohet përsëri në BS për shkenca politike. Pas kthimit në atdhe ngarkohet me detyrën e rëndësishme të sekretarit të parë të partisë fillimisht në Elbasan, më pas në Korçë, Berat e Tepelenë. Së fundi caktohet Sekretar i Përgjithshëm i Frontit Demokratik të Shqipërisë deri në vitin 1975. Ishte anëtar i Komitetit Qendror të PPSH dhe deputet i Kuvendit Popullor, i zgjedhur në çdo legjislaturë, madje në njërën prej tyre ka qenë drejtues i punimeve të Kuvendit, ndërkohë ishte dhe deputet i Gramshit. Si deputet ai mbante kontakte të  rregullta me zgjedhësit e të gjitha zonave, ishte shumë i vëmendshëm ndaj problemeve që ata ngrinin.

Vala goditëse e plenumit të 7-të të KQ të PPSH i vitit 1975 kundër grupit të akuzuar për sabotime në ekonomi dhe naftë, rrëmbeu edhe Ramadan Xhangollin, pa qenë i akuzuar dhe pa punuar në këta sektorë, por si anëtar i Komitetit Qendror shprehu mendimin e vet në plenum. Me sa duket, ndërhyrja e tij nuk i pëlqeu udhëheqjes. Ky plenium shënoi edhe fundin poltik të Ramadanit. Ai u shkarkua nga të gjitha funksionet dhe u internua në Peqin, ku punoi si nëpunës i thjeshtë në një ndërmarrje prodhimi deri në vitin 1986, kur u nda nga jeta në moshën 66 vjeçare.

Kjo ishte në mënyrë telegrafike trajektorja e ngjitjes së shpejtë dhe mbresëlënëse në hierarkinë shtetërore dhe partiake të shënepremtasit Ramadan Xhangolli. Pavarësisht fundit të hidhur e aspak të merituar, detyrat e rëndësishme që ai mbajti, nuk i kishte dhuratë nga dikush, nuk i kishte as për hatër të dikujt, as për sytë e bukur, siç thotë populli.  Karrierën e tij ai e ndërtoi me punën e sakrificat e veta gjatë luftës dhe pas çlirimit të vendit.

Ramadani u caktua në poste të rëndësishme drejtuese, sepse kishte fituar pjekurinë e duhur për të marrë mbi vete detyra të tilla, kishte fituar mjaftueshëm aftësinë për të menduar e gjykuar politikisht, kishte bërë për vete aftësinë e largpamësisë politike, për të parashikuar pasojat afatgjata të vendimeve dhe veprimeve që ndërmerrte. Këto aftësi ai i fitoi në shkollat që kreu, në luftën për çlirimin e vendit, por edhe në veprimtarinë e përditshme intensive si drejtues i rëndësishëm partie në rrethe.

Ramadani kishte edhe një cilësi tjetër: aftësinë për të marrë përgjegjësi mbi vete. Përgjegjësia si drejtues partie ishte pronë e karakterit të tij, që manifestohej në angazhimet e përditshme. Shprehja më domethënëse e një përgjegjësie të tillë ishin ndershmëria, integriteti, korrektësia, përpikmëria dhe përkushtimi në kryerjen e detyrave. Këto cilësi ishin arma më e fuqishme e tij.

Për qëndrueshmëri të karakterit të tij flasin edhe disa episode në marrëdhëniet e tij me udhëheqjen e lartë të partisë. Ai herë-herë e kishte të vështirë të formatohej sipas diktatatit nga lart, nuk e kishte të lehtë të komprometonte bindjet e veta, nuk mund t’ia lejonte vetes të shndërrohej në një drejtues partiak dogmatik e me dinjitet të nëpërkëmbur. Pikëpamjet e tij i shprehte hapur në forumet e partisë. I tillë ishte rasti, p.sh. kur Ramadani kundërshtoi në Kongresin e parë të PPSH propozimin për ndërrimin e emrit të partisë nga Parti Komuniste në Parti e Punës. Në cilësinë e delegatit të kongresit, ndër të tjera, ai u deklarua kundër këtij propozimi. Ai e krahasoi emërtimin e ri të partisë me emrin e organizatës “Puna” e cila, si pjellë e Grupit Komunist të Korçës, kishte karakter të organizatës masive të punëtorëve. Por protagonizmi i tij jo gjithnjë i shkonte për shtat udhëheqjes.

Kur ishte sekretar i parë në Korçë, Ramadani u kritikua nga partia për disa dobësi në punë; deri këtu nuk ka asgjë të keqe. Po të kemi parasysh se veprimtaria e tij si sekretar i parë në rrethe u shtri në vitet 50-60 të shek. të kaluar, të cilat do të ishin vitet e transformimit rrënjësor të ekonomisë, siç është e kuptueshme, vështirësitë apo dobësitë do të ishin prezente. Kolektivizimi i bujqësisë sipas shembullit sovjetik, direktivat dhe vendimet e ashpra për vendosjen e socializmit në fshat, tufëzimi i blegtorisë, ishin eksperimente të dhunshme që u bënë në kurrizin e fshatarësisë. Të gjitha këto transformime të mëdha nuk mund të shkonin vaj e pa probleme. Por e keqja ishte se udhëheqja e lartë e partisë, edhe pse e njihte dhe e pohonte zotësinë dhe energjinë e sekretarit të parë në punë, problemet dhe vështirësitë pa fund, me të cilat ai përplasej çdo ditë në terren, i lidhte me fodullëkun e Ramadan Xhangollit. Vetë E. Hoxha qe shprehur: “Ndonjëri mund të mendojë se si mund t’i vësh Xhakos epitetin e njeriut mendjemadh, shikojeni si është.., nga pamja e jashtme dhe nga jeta që bën duket i thjeshtë… Ti, shoku Ramadan, nuk je nga ata fodullë që kërkojnë të kenë një shtëpi të mirë ose një automobil luksoz, por ti je fodull në pikëpamjet e tua…” Por a ishte mendjemadhësia e Ramadanit shkaku i vetëm i vështirësive dhe problemeve të transformimeve të mëdha në një vend të prapambetur dhe pa infrastrukturë, siç ishte Shqipëria e atyre viteve?

Populli i zonës sonë nuk e njihte Ramadanin për mendjemadh, a fodull,  përkundrazi ai ishte me këmbë në tokë, ai nuk i shmangej kurrë punës, ai e donte vendin dhe popullin e tij dhe i shërbeu atij me devotshmëri. Ai nuk dinte t’i mbulonte dobësitë me propagandën e partisë, por edhe sukseset e trumbetuara nuk e dehnin atë, ishte i përmbajtur dhe nuk hidhej në aventura.

Njerëzit e anës sonë e donin dhe e respektonin Ramadanin pikërisht se ishte njeri i thjeshtë dhe ngjallte besim tek ata. Kur komunikonte me ta, rëndësi kishte jo sepse Ramadani u thoshte fjalë me vend e të vërteta, por sepse ato fjalë ata i dëgjonin nga biri i tyre. Ai do të mbetet një nga burrat e ditur e të kulturuar të Gramshit, personalitet me identitet politik të qartë e të dallueshëm,  pjesë e trashëgimisë sonë historike.

Për kontributin e tij gjatë luftës dhe pas saj Bashkia e qytetit të Gramshit i ka akorduar Ramadan Xhangollit titullin “Qytetar Nderi” me motivacionin: “Për ndihmesën e madhe që ka dhënë gjatë Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, për kontributin e çmuar si kuadër i rëndësishëm në disa rrethe të vendit dhe për përfaqësimin dinjitoz që i ka bërë Gramshit në gjithë veprimtarinë e tij”.

 

 

Video