D-Day, si sot 80 vjet më parë/ Zbarkimi në Normandi që ndryshoi fatet e Luftës

6 Qershor 2024, 09:50Histori SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
D-Day, si sot 80 vjet më parë

Është ora 6:30 e mëngjesit të 6 qershorit 1944, Dita D. Atë ditë në bregun e Normandisë, agimi është gri. Ushtarët e garnizonit gjerman janë të shqetësuar: pjesërisht për shkak të atij qielli që ka ngjyrën e tytës së pushkëve të tyre, pjesërisht për shkak të gjërave të çuditshme që ndodhën gjatë natës. Në fakt, tek ata ka mbërritur lajmi se grupet e parashutistëve aleatë kanë nisur sulme të izoluara kundër bunkerëve të artilerisë pranë S.te-Mère-Église dhe Caen, dhe gjatë gjithë natës aeroplanët kanë hedhur tonelata me bomba në të gjithë bregun verior të Francës.

Por nuk bëhet fjalë për një pushtim, gjermanët e kanë të sigurt: Marshalli Erwin Rommel është i bindur se zbarkimi do të ndodhë pikërisht këtu, në Normandi, dhe jo në Pas de Calais siç mendon von Rundtstedt (komandant i Frontit Perëndimor) dhe një pjesë e mirë e OberKommando der Wehrmacht (Shtabi i Përgjithshëm i Ushtrisë Gjermane). Por është gjithashtu e vërtetë që atë ditë moti ishte aq i keq sa askush nuk do të mendonte të fillonte një pushtim. Dhe në fakt “dhelpra e shkretëtirës”* nuk është aty: ai përfitoi nga kushtet e pafavorshme të motit për të kaluar pak kohë me gruan e tij.

Ushtarët gjermanë qetësohen: Nëse Rommel nuk është në fushë, nuk do të ketë as zbarkim aleatësh. Nëse nuk do të ishte e sigurt që as atë ditë dhe as të nesërmen nuk do të kishte pushtim, marshalli nuk do të ishte kthyer në Berlin për të festuar ditëlindjen e gruas së tij, e duke bërë një udhëtim në Paris për t'i blerë asaj një palë këpucë. Dhe meqenëse Rommel mendon se zbarkimi nuk do të ndodhë, gjeneralët e tjerë e marrin me lehtësi: dikush shkon te e dashura në kryeqytetin francez, një tjetër shkon në Rennes për "një stërvitje" (që në fakt është një lojë pokeri).

"Sie Kommen!", "Po vijnë"- Por papritur, rojeve në bunkerët me pamje nga plazhet normane për pak sa nuk u pushon zemra: qindra e mijëra anije luftarake dalin në horizont. Oficerët nuk u besojnë syve: nuk është e vërtetë, nuk mund të jetë e vërtetë! Më pas “zgjohen”, japin nja dy-tre urdhra të mprehta për vartësit e tyre dhe pastaj kapin furishëm receptorët e telefonave në terren për të kërkuar ndërhyrjen e artilerisë: "Sie Kommen!", "Po vijnë", bërtasin ata. Dhe ndërkohë flota aleate po afrohet gjithnjë e më shumë: Pushtimi po ndodh! Nuk është e mundur, por kështu është, ka nisur zbarkimi!

Efekti "befasi" - Komandanti Suprem i Aleatëve, Gjenerali Dwight Eisenhower, nisi Operacionin Overlord, ku vuri në lojë gjithçka - duke përfshirë edhe rezultatin përfundimtar të pesë viteve të luftës - në efektin e befasisë. Në fund të fundit, nuk ishte më e mundur të shtyhej: 4 mijë anijet luftarake, 1.500 anijet e zbarkimit, 150 mijë ushtarët e forcave pushtuese ishin gati për ditë të tëra dhe ndalimi i pushtimit më të madh amfib në histori do të nënkuptonte braktisjen e projektit.

"Zotërinj, të nisemi" - Dhe kështu, duke shpresuar në përmirësimin e lehtë të motit të parashikuar nga meteorologët e Shaef (Komanda Supreme e Aleatëve), "Ike" Eisenhower jep miratimin për Ditën D: "Zotërinj, le të shkojmë". Dhe zbarkimi në Normandi fillon. Në orën 6:30 të datës 6 qershor, kur batica ishte mjaft e lartë për të lejuar LCVP-të*, mjetet e zbarkimit, të shkarkonin ushtarët në një distancë mjaft të shkurtër nga pozicionet gjermane, por mjaftueshëm e lartë për të lejuar që anijet të mos përplaseshin me mbrojtjen e vendosur nga Rommel nën sipërfaqen e ujit, 150 mijë ushtarët amerikanë, anglezë, francezë dhe kanadezë të forcave pushtuese sulmojnë Utah, Omaha, Gold, Juno dhe Sword, emrat e koduar të pesë plazheve të zgjedhura për sulmin.

Utah, Omaha, Gold, Juno dhe Sword – Në Utah, që iu caktua amerikanëve, drejton Divizioni i 4-të i Këmbësorisë; Divizioni i Parë i Këmbësorisë dhe Regjimentet 115 dhe 116 të Divizionit të 29-të të Këmbësorisë po synojnë Omaha-n; në Gold, anglezët, Divizioni i 50-të i Këmbësorisë dhe Regjimenti i 47-të i Marinës Mbretërore; në Juno Divizioni i 3-të i Këmbësorisë Kanadeze; në Sword Divizioni i 3-të i Këmbësorisë Britanike dhe njësia komando e 1-rë franceze Kieffer.

Fillon zbarkimi-  Në katër nga pesë plazhet, luftimet, të cilat ishin shumë të dhunshme, zgjatën shumë pak: gjermanët u pushtuan pothuajse menjëherë. Edhe në Juno, ku kanadezët pësuan humbje shumë të rënda para se të zbarkonin. Në Omaha, megjithatë, historia është krejtësisht ndrysh: bombardimet e artilerisë ajrore dhe detare ishin "të gjata", pesë kilometra në brendësi, dhe nuk bënë as një goditje në pozicionet e Wehrmacht. Foletë e automatikëve janë të paprekura, artileria është në punë. Dhe si të mos mjaftonte kjo, divizioni 716 i këmbësorisë që mbron plazhin dhe që - siç dihet - përbëhet nga ushtarë të stërvitur keq, pa dijeninë e aleatëve, u përforcua me 352-in, e përbërë nga veteranë. Ushtarët amerikanë janë shkatërruar që para se të shkelin në plazh: anijet që i transportojnë në breg goditen nga artileria bregdetare, madje edhe kur nuk goditen plotësisht nga një granatë, ato përmbysen nga forca e shpërthimit ose fundosen nga uji në bord. Dhe për ushtarët që bien në ujë nuk ka shpëtim: të rënduar nga pajisjet që mbajnë në trup, zhyten në fund si gurë.

Në LCVP-të që përparojnë drejt Omaha-s, midis gejzerëve të ujit të njelmët të ngritur nga shpërthimet dhe zhurma e plumbave që godasin anët e blinduara të varkës, ka nga ata që luten, ata që qajnë, ata që vjellin nga deti dhe frika. Por ferrin, atë të vërtetin, këta fëmijë që ishin pak më shumë se adoleshentë e që erdhën nga ana tjetër e oqeanit për të çliruar Evropën nga nazizmi, nuk e kishin parë ende.

Ferri i Omahas - Pikërisht kur anijet e zbarkimit prekën rërën e Normandisë, shpërthen apokalipsi:  gjermanët qëllojnë si të tërbuar në plazhin e Omahas, secili prej mitralozëve të fshehur në bunkerët e betonit të armuar derdh mbi amerikanë gjashtëqind plumba në minutë. Një shi zjarri që nuk të lë shpëtim. Vala e parë, e përbërë nga ushtarë të divizionit të 29-të, të cilët nuk kanë prekur kurrë pushkën më parë, përfundon në masakër. Brenda dhjetë minutave nuk ka më asnjë kapiten, as toger, as rreshter në plazh: të gjithë janë të vdekur ose të plagosur, ashtu si 90% e ushtarëve që sapo kanë zbritur. Uji i plazhit Omaha është ngjyrosur me gjakun e amerikanëve. As dallgët nuk kanë mëshirë për të rënët dhe, në vend që t'i mbështjellin ato trupa të torturuar, i hedhin kufomat e rrënuara përsëri në plazh, krahë e këmbë dhe koka të prera nga plumbat gjermanë.

Ushtarët e vijës tjetër, të tmerruar, fshihen pas palisadave, pas kuajve frizian, pas murit që mbyll plazhin.... Ushtarët amerikanë ngujohen në atë plazh nga zjarri i armikut: disa të tmerruar, disa bërtasin urdhra që të tjerët janë shumë të frikësuar për t'i zbatuar, disa thërrasin infermieren për të ndihmuar shokun e tyre që po u vdes në krahë. Askush nuk është aty ku supozohet të jetë, askush nuk mund të gjejë objektivin që është trajnuar për të goditur.

“Big Red One” drejton avancimin-  Të parët që reaguan, për të kapërcyer tronditjen, janë veteranët e “Big Red One”, Divizioni i Këmbësorisë: ata e dinë se, nëse qëndrojnë në atë plazh, nuk ka shpëtim. Sepse DD-të, tanket amfibe Sherman që supozohej t'u siguronin mbulim, u fundosën para se të zbarkonin dhe zbarkimet përfunduan në orën 8:30 të mëngjesit në plazhin Omaha. Ushtarët në plazh janë vetëm, ata nuk do të marrin më asnjë ndihmë përveç zjarrit të topave që vijnë nga kryqëzorët dhe luftanijet e ankoruara në det të hapur. Dhe kështu, nën zjarr, ushtarët e divizionit të I hidhen përpara dhe, duke u përpjekur të shmangin plumbat, ngjiten në shkëmbinj mbi të cilin janë vendosur mbrojtjet bregdetare gjermane. Dhe pastaj, një nga një, ata fshijnë pozicionet e armikut, duke hedhur në erë bunkerët dhe kazamatet dhe sulmojnë foletë e mitralozëve që ende fshijnë plazhin.

Humbja gjermane -Tani janë gjermanët ata që janë të tmerruar: vazhdojnë të qëllojnë kundër amerikanëve; por ata, si një tufë karkalecash, vazhdojnë të përparojnë, duke shkatërruar të gjitha pengesat në rrugën e tyre. Dhjetëra e qindra ushtarë të Rajhut dorëzohen. Ata rezistojnë sa të munden dhe më pas ngrenë duart lart. Pas një masakre që zgjati 7 orë, dy rrugëdalje nga plazhi janë hapur: pjesa më e madhe është bërë.

Dita më e gjatë për amerikanët- Zbarkimi në Omaha është dita më e gjatë: Më shumë se 1200 ushtarë lanë rininë e tyre në atë plazh të mallkuar dhe dy mijë të tjerë u plagosën. Pothuajse të gjithë në orën e parë: mesatarisht një person binte çdo 3 sekonda, një person plagosej çdo 1.5 sekonda. Për të dhënë një ide të masakrës, në plazhin Juno, ku plani parashikonte humbjet më të mëdha, viktimat totale ishin 401. Por zbarkimi i Normandisë, bashkë me haraçin e gjakut (në total, mes amerikanëve, anglezëve, francezëve dhe kanadezëve 4,400 të vdekur dhe 6,000 të plagosur), do të ndryshojë historinë e njerëzimit: Dita D është fillimi i fundit të Rajhut të Tretë, por është gjithashtu fillimi i ekspansionit sovjetik në Evropë. Dhe, edhe nëse nuk e dinë ende, është fillimi i fundit të perandorive britanike dhe franceze, të cilat duhet t'i nënshtrohen dy superfuqive të sapolindura: SHBA-së dhe BRSS.

1*Ervin Rommel ishte marshall me rang të lartë në ushtrinë e Gjermanisë ku u dallua kryesisht për fitoret e tij në shkretëtirat e Afrikës kundra forcave britanike gjatë Luftës së Dytë Botërore. 

2*Anije, automjet dhe personel

Përshtati në shqip VoxNews

Video