MISIONET HISTORIKE TË HËNËS: Të gjitha sekretet e 7 misioneve Apollo

22 Nëntor 2022, 17:48Histori SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX
Buzz Aldrin përpara flamurit amerikan ne Hene

Në dhjetor të vitit 1972, astronautët amerikanë lanë në Hënë një pllakë metalike me këtë mbishkrim: “Këtu njeriu përfundoi eksplorimin e parë të Hënës. Shpirti i paqes me të cilin ata erdhën le të pasqyrohet në jetën e të gjitha qenieve njerëzore”.

Eksplorimet në Hënë që filluan me anijen Apollo 11 më 1969 dhe përfunduan me anijen Apollo 17 në vitin 1972. Vera e vitit 1969 ishte një kohë e veçantë në histori. Kjo ndodhi kur njerëz nga Toka – astronautë amerikanë – shkuan me anijen Apollo 11 në Hënë, zbritën dhe u kthyen në Tokë pa problem. Bota i nderoi këta astronautë si heronj.

Neil Armstrong dhe Edvin Aldrin ishin të parët që zbritën në Hënë. Po ata nuk ishin të fundit.

Agjencia amerikane për fluturime në Hapësirë e njohur me akronimin Nasa, ndërmori edhe 6 misione të tjera në Hënë me anije Apollo.

Apollo 12 u nis për në Hënë vetëm 4 muaj pas kthimit të Apollo 11. Një natë më parë kishte rënë shi. Retë ishin shpërndarë, por shira të tjerë parashikoheshin. Zyrtarët e Nasa-s arritën në përfundimin se moti ishte i përshtatshëm dhe kështu Apollo 12 u nis nga Toka për në Hënë.

36 sekonda pas nisjes, një rrufe goditi raketën Saturn 5 që shtynte anijen. Anija Apollo humbi rrymën elektrike në sistemin e kontrollit. Aparaturat e ndërprenë funksionimin. Astronautët punuan me gjakftohtësi dhe e kthyen rrymën. Por një tjetër rrufe ra dhe rryma elektrike u ndërpre përsëri.

Rrufeja e dytë nuk e prekur raketën Saturn 5. Kështu kjo vazhdoi t’a shtynte anijen në udhën e saj. Astronautët shumë shpejt ndreqën defektin. Gjendja u normalizua dhe Apollo 12 mundi të vazhdonte fluturimin drejt Hënës.

Tre astronautët në bordin e Apollos ishin pilotë të marinës. Çarls Konrad ishte komandant i fluturimit. Richard Gordon, pilot i modulit komandues dhe Alan Bean ishte piloti i sondës për zbritjen në Hënë.

Pas katër ditësh, Apollo 12 arriti afër vendit të uljes në Hënë. Zona quhej Stuhitë e Oqeanit, rreth 2 mijë kilometra në perëndim të zonës ku ishte ulur Apollo 11.

Richard Gordon qëndroi në komandë të modulit duke i ardhur Hënës përreth. Çarls Konrad dhe Alan Bean fluturuan me sondë dhe e ulën në sipërfaqe të Hënës. Ata iu afruan sondës Surveyor 3, një anije pa pilot që kishte mbërritur 2 vjet më parë dhe kishte dërguar në Tokë rreth 6 mijë fotografi të Hënës, para se të ndalte së funksionuari.

Konrad zbriti në sipërfaqen e Hënës. “Sipërfaqja është e butë, shpresoj të mos fundosem në të”, thoshte ai dhe zëri regjistrohej në qendrën e kontrollit të fluturimit në Tokë.

Alan Bean ndoqi Konradin në sipërfaqen e Hënës dhe të dy mblodhën rreth 35 kilogram gurë. Ata lanë aty 5 instrumente shkencorë që do të dërgonin informata në Tokë. Para se të iknin, Bean dhe Konrad vizituan edhe sondën Surveyor që kishte kohë që nuk funksiononte. Këta dy astronautë qëndruan në Hënë rreth 30 orë. Pastaj u kthyen në anijen Apollo e cila i priste në orbitë dhe prej andej nisën për në Tokë. Kapsula me 3 astronautët ra në oqeanin Atlantik, vetëm 6 kilometra nga vendi ku po priste anija e flotës detare.

Apollo 13

Gjatë projektit amerikan prej 7 fluturimesh në Hënë, Apollo 13, kurrë nuk mundi të zbriste në sipërfaqen hënore. Tre ditë pas nisjes nga Toka, një shpërthim e dëmtoi anijen. Astronautët humbën shumë prej sasisë së oksigjenit.

Atyre iu desh të anulonin zbritjen në Hënë dhe e përdorën sondën e zbritjes si “varkë shpëtimi”. Oksigjeni i saj i mbajti astronautët gjallë gjatë udhëtimit për në Tokë.

Apollo 14

Apollo 14 u nis në janar të vitit 1971 dhe u ul në Hënë në zonën Fra Maouro paksa në lindje të rajonit ku kishte zbritur Apollo 12. Fra Maouro është një zone kodrash të larta të krijuara miliona vjet më pare nga rënia e një meteori të fuqishëm. Për këtë arsye shkencëtarët donin t’a studionin sipërfaqen e këtyre kodrave. Ata besojnë se nga studimi i të dhënave nga kjo sipërfaqe mund të sigurojnë infomata të rëndësishme rreth historisë së hershme të Hënës.

Komandant fluturimi i Apollo 14 ishte Alan Shepard. Ai njihej atëherë si amerikani i parë në Hapësirë. Stuart Rosa dhe Edgar Miçëll ishin dy anëtarët e tjerë të ekuipazhit. Në Apollo 14 astronautët kishin marrë me vete edhe një pajisje udhëtimi dy rrotëshe që ata do t’a përdornin për të mbajtur kamerat e mjete të tjera kur të zbrisnin në Hënë. Ky mjet u krijoi atyre mundësi të udhëtonin larg nga vendi i zbritjes, për të mbledhur gurë e për të bërë eksperimente. Astronautët mundën të ecnin deri në 3 kilometra larg nga sonda. Edhe pse kishin mjetin dy rrotësh, Shepard e Miçëll nuk mundën të arrinin në njërin prej objektivave të tyre, kraterin e quajtur Kone. Ata nuk kishin mjaft oksigjen për të udhëtuar aq larg dhe u kthyen në sondën që i priste.

Apollo 12 dhe Apollo 14 grumbulluan për shkencëtarët shumë informacione, që e shtynë Nasa-n të vazhdonte projektin e udhëtimeve në Hënë.

Tre misionet e tjera do t’u lejonin astronautëve të qëndronin më gjatë në Hënë. Ata tani do të përdornin një mjet me katër rrota për të udhëtuar në sipërfaqen e Hënës. Ky automjet u quajt Rover hënor dhe punonte me bateri. Me të astronautët mund të shkonin më shumë se 30 kilometra larg nga vendi i zbritjes. Roveri hënor mund të mbante pajisje me peshë prej110 kilogram dhe në të ishte instaluar edhe një kamerë televizive që u dërgonte stacioneve në tokë pamje me ngjyra me cilësi transmetimi.

Apollo 15

Ekuipazhi i anijes Apollo 15 përbëhej nga atronautët David Skot, Alfred Uorden dhe Xhejms Irvin. Ata u nisën nga Toka në korrik 1971 dhe zbritën në Hënë në zonën e quajtur Hadley Rille afër Maleve Apenine, në veriperëndim të vendin ku ishte ulur Apolli 11.

Astronautët e Apollo 15 u kthyen pa problem në Tokë. Shkencëtarët u befasuan nga gurët që ata sollën me vete.

Njërin prej këtyre gurëve shkencëtarët e quajtën Guri i Gjenezës, që besohet të ketë një moshë prej 4 miliardë vjetësh. Sipas shkencëtarëve, ky gur ishte krijuar kur Hëna kishte qenë në moshën më të hershme.

Dheu që astronautët sollën nga Hëna përmbante copa xhami në ngjyrë portokalli. Shkencëtarët thonë se ky xham ishte rezultat i materialeve të krijuara në një thellësi prej 300 kilometrash nën sipërfaqen e Hënës.

Apollo 16

Në prill të vitit 1972, Apollo 16 u nis për në Hënë. Në bord ndodheshin astronautët Xhon Yuong, Thomas Mattingly dhe Çarls Duke. Young dhe Duke zbritën në jugperëndim të vendit ku ishte ulur zbritur Apollo 11.

Ata qëndruan në Hënë 45 orë dhe gjatë kësaj kohe mblodhën gurë dhe vendosën në sipërfaqe disa aparate shkencorë.

Apollo 17

MISIONET HISTORIKE TË HËNËS: Të gjitha sekretet e 7

Astronautët Juxhin Kerman, Harrison Shmid dhe Ronald Evans ishin të fundit që udhëtuan në Hënë me misionin Apollo 17. Ishte dhjetor i vitit 1972. Kerman dhe Shmid zbritën në një luginë thuajse në veri të vendit ku ishte ulur Apollo 11. Ata qëndruan në sipërfaqen e Hënës 72 orë dhe më shumë se 24 orë i kaluan duke punuar jashtë sondës me të cilën kishin zbritur. Këta astronautë kryen 3 udhëtime me Roverin hënor duke bërë fotografi e mbledhur gurë. Ata gjithashtu lane atje edhe shumë pajisje shkencore që do të vazhdonin të dërgonin në Tokë informata të ndryshme rreth Hënës.

MISIONET HISTORIKE TË HËNËS: Të gjitha sekretet e 7

Kerman dhe Shmid u nisën nga Hëna më 14 dhjetor dhe para se të largoheshin lanë atje një pllakë metalike me këtë mbishkrim: “Këtu njeriu përfundoi eksplorimin e parë të Hënës. Shpirti i paqes me të cilin ata erdhën le të pasqyrohet në jetën e të gjitha qenieve njerëzore”. Pllaka metalike me këtë mbishkrim, sigurisht në anglisht, vazhdon të jetë në sipërfaqen e Hënës si shenjë e përhershme e mbërritjes së njeriut atje.

Me anijen Apollo 17 mori fund edhe prodhimi i raketës Saturn 5 si dhe prodhimi i anijeve Apollo.

Eksplorimet e Amerikës me njerëz në Hënë kishin përfunduar.

Kjo ishte një kohë e veçantë në historinë e njerëzimit, sepse për herë të parë njerëzit shkuan përtej planetit të tyre të vogël brenda sistemit gjigand diellor.

Pas kësaj, Hëna përsëri do të bëhej e paarritshme për njeriun.

Video