
Gazeta informuese e trupave gjermanë në Shqipëri dhe Mal të Zi “Situata” (Die Lage), e cila botohej nga kompania e propagandës së ushtrisë gjermanë në Tiranë, më 18 janar 1944, në numrin 72 të saj, njoftonte në faqen e parë të saj për kapjen e gjeneralit britanik Davies nga forcat e Ballit Kombëtar, të cilat drejtoheshin nga Azis Biçaku.
Kapja e gjeneralit Davies ndodhi në vazhdim të operacionit gjerman “1828”, i cili u organizua prej rreth 6500 forcave gjermane dhe rreth 1500 forcave balliste në rajonin Çermenikë-Shëngjergj-Martanesh. Qëllimi kryesor i organizimit të këtij operacioni ishte kapja e Shtabit të Përgjithshëm të UNÇL-së dhe misionit britanik, i cili drejtohej nga Davies. Operacioni “1828” filloi me pesë grupe sulmi që mësynin në të njëjtën kohë nga drejtimet Dibër, Librazhd, Elbasan, Tiranë dhe Burrel, duke e mbyllur kësisoj me një darë të hekurt gjithë këtë rajon.
Gjenerali Davies u kap së bashku me nënoficerin e tij, pasi ishte plagosur në luftime me ballistët e Azis Biçakut, i cili u dekorua nga Hitleri për këtë shërbim që u bëri gjermanëve. Rënia rob e drejtuesit të misionit ushtarak britanik në Shqipëri i shërbeu shumë propagandës gjermane, sikurse lexohet qartë edhe nga gjuha që është shkruar artikulli që po botojmë sot për herë të parë.
***
Gjenerali britanik kapet rob
Drejtimi britanik në Shqipëri u godit
Më 8 janar 1944, në malet në jug të Kostenjës u dorëzua te burrat e Azis Biçakut dhe te një trupë e vogël gjermane gjenerali Davies, drejtues i misionit ushtarak britanik, i cili ndiqej prej 18 nëntorit 1943 në rajonin e Martaneshit, ku u zhvillua edhe operacioni gjerman. Pas një lufte të ashpër disa orëshe ai u plagos nga njerëzit e Biçakut dhe u kap rob në prezencë të tij, për t’ju dorëzuar më pas trupave gjermane.
Me këtë veprim drejtimi britanik në Shqipëri mori një goditje.
Kështu u gjurmuan britanikët
Menjëherë pas publikimit të lajmit të kapjes së drejtuesit të misionit ushtarak britanik në Shqipëri, mjeku specialist gjerman, i shoqëruar nga një trupë ushtarësh u nis menjëherë për t’i dhënë ndihmën e parë drejtuesit të misionit ushtarak britanik në Shqipëri, i cili ishte i plagosur.
Për t’u përmirësuar, ai më tepër kishte nevojë për një copë bukë nga racioni i ushtarit gjerman se për gjilpëra mjekësore. Britaniku u lëshua i uritur mbi bukë duke thënë se për atë dhe shoqëruesin e tij, prej 4 javësh ishte e para herë që po hanin ushqim të denjë për njeriun. Nënoficeri, i cili u kap së bashku me të, shtoi se ajo pak margarinë që mori nga kutia me yndyrë e një ushtari gjerman dhe leu copën e tij të parë të bukës pas shumë ditësh, ishte dhurata më e shtrenjtë që kishte marrë në këtë vend. Ushtarët gjermanë u treguan të sjellshëm dhe nuk ua kujtuan atyre në këtë moment përmbajtjen e një fletëpalosje britanike të hedhur nga avioni, e cila mbyllej me thirrjen: “Ejani te ne, ushtarët më të mirëushqyer në botë”.
Meqenëse errësira e madhe dhe gjendja e keqe e rrugëve nuk dukej e këshillueshme për transportin e anglezit gjatë natës, mjeku vendosi të qëndronte pranë të plagosurit deri në mëngjes. E veçanta e situatës – mungesa e afërsisë së një njeriu të mirëarsimuar, ndonëse (ose pikërisht) e një armiku, kur ka të bëjë me banditët komunistë – mund ta bëjë anglezin më llafazan se është zakonisht dhe nga se mund të pritej në gjendjen e tij.
Gjithsesi, ai u përpoq të fillonte një bisedë ku nuk e fshehu faktin se eksperiencat e javëve të fundit e kishin dekurajuar atë të vazhdonte jetën aventureske që ishte detyruar të bënte prej ardhjes së tij në Shqipëri.
Ngado që ai ishte drejtuar, duke kërkuar strehë pranë qyteteve ose të fshihej ndër male mes shtigjesh të pakalueshme, ai ra gjithmonë në rrethim, që trupat gjermane organizonin kundër bandave komuniste së bashku me forcat nacionaliste. Kur atij ju prenë të gjitha mundësitë për të realizuar detyrën e ngarkuar, në një formë a tjetrën, kur ai mendonte si të shpëtonte jetën, atij ju desh të mësonte se nuk do të gjente asnjë mbështetje te ata, të cilët ai kishte ardhur për t’i drejtuar. Banditët ndiheshin vetë të rrezikuar nga forca gjithnjë e në rritje e goditjeve gjermane dhe u larguan prej tij. Kësisoj, ai së bashku me shoqëruesit e tij u end rrugëve të këtij vendi, për të cilin punëdhënësit e tij llafazanë vazhdojnë ende të pretendojnë në fletëpalosjet e tyre se donin ta çlironin, megjithëse gjenerali Davies duhej t'u kishte raportuar atyre se, referuar historisë së shembujve të njohur të politikës britanike, asnjë shqiptar nuk e dëshiron këtë “çlirim”.
Është për tu habitur nga mungesa e njohurive për vendin dhe njerëzit që Davies zbuloi gjatë tregimit të përvojave të tij.
Ai e drejtonte zemërimin e tij kundër atyre shqiptareve, nga të cilët ai, agjitatori i paftuar e i padëshiruar, kishte pritur mikpritje e ndihmë, si shpërblim për trazirën që ai donte të sillte në një vend që ishte në kërkim të paqes e qetësisë. Veçanërisht kur i duhej të kuptonte se përmbushja e misionit të tij do të ishte e pamundur për shkak të vigjilencës së udhëheqjes gjermane, të forcës superiore luftarake të trupave gjermane dhe rezistencës së forcave të shëndetshme nacionaliste kundër përpjekjeve interferuese britanike, atëherë ankohej për mikpritjen e munguar të shqiptareve. U desh t’i bëhej e qarte se kushti për ofrimin e saj nga ana e mikpritësit është bindja në integritetin e ideve (ethosit), e cila bën që një i huaj të pranohet në shtëpinë e shqiptarit. Pikërisht këtë nuk arrinte ta transmetonte britaniku në asnjë rrethanë.
Për këtë arsye i kishin treguar derën vetë ata, nga të cilët ai kishte shpresuar ta prisnin me krahë hapur, kur kishte vënë këmbe për herë të parë në tokë shqiptare.
I ndjekur pa pushim nëpër male, qëndresa e fundit e britanikut u thye nga zjarri i armëve të atyre burrave, të cilët luftojnë përkrah trupave gjermane për çlirimin e Shqipërisë nga terrori komunist. Gjatë rrugës për në Tiranë, Davies u shpreh se e kishte parë aq herë Tiranën nga malet përreth dhe kishte pasur gjithmonë dëshirën për ta njohur këtë qytet. Gjithsesi, ai nuk kishte menduar kurrë se kjo dëshirë do t’i plotësohej kaq shpejt dhe në rrethana të papritura. “Mund të më jepni pa merak një pushkë”, u tha ai shoqëruesve të tij, “unë nuk qëlloj më. Jam i lodhur!”
©Copyright Vox News
Ky artikull është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.