Ekskluzive: Marrëveshja e gjermanëve me qeverinë shqiptare në shkurt 1944 për dënimin e antifashistëve shqiptarë

22 May 2022, 16:25Histori SHKRUAR NGA MARENGLEN KASMI
Ekskluzive: Marrëveshja e gjermanëve me qeverinë shqiptare
Operacion i dimrit

Menjëherë pas pushtimit të Shqipërisë më 9 shtator 1943, gjermanët e kuptuan shpejt se politika e tyre fillestare ndaj shqiptarëve, pra stabilizimi i vendit nëpërmjet krijimit të një qeverie bashkëpunëtore ose marionetë nuk po jepte asnjë rezultat. Pikërisht për të stabilizuar situatën politike dhe ushtarake në Shqipëri, ata ndërmorën në Dimrin e viteve 1943/1944 dhe në Qershor 1944 dy operacione me përmasa të mëdha ushtarake. Në to u kryen krime dhe dëme të shumta ndaj popullsisë civile. Këto operacione u vlerësuan si relativisht të suksesshme nga gjermanët, pavarësisht pasojave që kishin për forcat antifashiste shqiptare.

Gjatë Operacionit të Dimrit 1943-1944, LANÇ-i pësoi dëme dhe humbje të ndjeshme aq sa për pak sa nuk u likuidua plotësisht. Por, përvoja tregoi se me ardhjen e pranverës, lëvizja partizane jo vetëm që u rigjallërua, por u konsolidua më tej. Në fakt, komanda gjermane e kishte parashikuar këtë gjë, çka rezultoi e saktë. Gjithsesi, për të ndaluar këtë fenomen, komanda gjermane bëri me qeverinë shqiptare një marrëveshje për mënyrën se si duhej të trajtoheshin komunistët – lexo partizanët, që ishin kapur rob ose ishin arrestuar nga ushtria gjermane.

Kjo marrëveshje ishte e pazakontë dhe në dëm të shqiptarëve. Sipas marrëveshjes, robërit partizane/ të burgosurit, që ishin kapur gjatë luftimeve kundër gjermanëve, nuk dënoheshin nga gjermanët, por nga gjykata shqiptare. Në këtë mënyrë, gjermanët shpresonin të ruanin imazhin e tyre në sytë e shqiptarëve, duke “larë duart” nga përgjegjësia. Por, nga ana tjetër, ata kishin paracaktuar masat e dënimit që duhej të jepnin këto gjykata shqiptare, të cilat ishin ekstreme: nga dënim me vdekje deri në dërgim në kampet e përqendrimit.

Sikurse e shohim ne dokumentin e mëposhtëm, gjermanët hoqën dorë nga trajtimi i robërve/ të arrestuarve komunistë (siç ata i përgjithësonin antifashistët) sipas parimeve ligjore ndërkombëtare të së drejtës. Përse duhej ta bënin, kur qeveria shqiptare garantonte dënimin më të ashpër për gjithë antifashistët shqiptarë që kishin luftuar apo luftonin kundër Wehrmacht-it gjerman? Po ashtu, lind natyrshëm pyetja, se përse qeveria shqiptare e mori përsipër këtë kosto?

Së pari, në këtë periudhë u krijua përshtypja se LANÇ-i u likuidua plotësisht dhe qeveria shqiptare nxitoi të forconte pozitat e saj, madje duke përfshirë në radhët e saj edhe anëtarë të Ballit Kombëtar. Për këtë gjë, duhej që ajo të vepronte me dorë të hekurt ndaj kundërshtarëve të saj. Së dyti, kjo ishte një kërkesë e vazhdueshme e pushtuesve gjermanë, të cilët kishin interes të përfshiheshin sa më pak në këtë proces, qoftë për arsye propagandistike, qoftë për mungesë të forcave të mjaftueshme ushtarake në Shqipëri. Rrjedhimisht, këto masa të ndërmarra e ashpërsuan më tej luftën kundër pushtuesve nazistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre shqiptarë, pa bërë dallim mes tyre.

Më poshtë po japim dokumentin e plotë, të nxjerrë nga Arkivi Ushtarak i Freiburg-ut, Gjermani:

***

Ekskluzive: Marrëveshja e gjermanëve me qeverinë shqiptare
Marreveshja me Qeverine shqiptare

Komanda e Përgjithshme e Korparmatës Malore XXI

Ic Nr. 748/44 sek.                                                                               21.02.1944

Lënda: Trajtimi i komunistëve shqiptarë të burgosur

I.                Marrëveshja me qeverinë nacionaliste shqiptare

Me ministrin e brendshëm të qeverisë së pavarur shqiptare është arritur një marrëveshje paraprake për trajtimin e komunistëve shqiptarë të burgosur/ zënë rob.

Sipas kësaj marrëveshje, deri në një vendim te dytë, komunistët e burgosur/ robër nuk do të dënohen nga Wehrmacht-i gjerman si luftëtarë të lirisë, bazuar në parimet ligjore ndërkombëtare të së drejtës, por do t’i jepen qeverisë shqiptare për verifikim dhe dënim nëpërmjet gjykatave të posaçme që janë duke u krijuar.

Tashmë në Tiranë është ngritur një gjykatë e tillë.

Gjykata të tjera të ngjashme duhet të ngrihen nga qeveria shqiptare edhe në pjesët e tjera të vendit. Qeveria shqiptare ka garantuar dënimin më të ashpër të gjithë shqiptarëve që kanë luftuar kundër Wehrmacht-it gjerman. Po ashtu, ajo garantoi se do të na informojë për dënimin e të burgosurve që u kemi dorëzuar.

II.              Trajtimi i të burgosurve nga trupat (gjermane)

Duke shfuqizuar gjithë urdhrat e deritanishme të Korpusit për trajtimin e komunistëve të burgosur/ robër urdhërohet si më poshtë:

1.     Në hapësirën shqiptare armët do të përdoren kundër komunistëve vetëm:

a.     Në luftë

b.     Pas marrjes rob/ arrestimit me kundërshtim ose gjatë

Tentativave për arratisje.

2.     Sipas marrëveshjeve vendore, divizionet (qendrat e grumbullimit të robërve) i dorëzojnë komunistët e kapur rob te qeveria shqiptare, ose aty ku janë ngritur tashmë gjykatat e posaçme, ose te prefektët shqiptarë përkatës ose te komandat përkatëse të xhandarmërisë.

 

III.            Trajtimi i robërve nga shqiptarët

Gjykata e posaçme

Për aq kohë sa nuk ka institucione shqiptare për kryerjen e masave të dënimit, gjykatat e posaçme shqiptare do të mbajnë qëndrimin ligjor si më poshtë:

1.     Dënim me vdekje ose

2.     Dhënie lirie

3.     Dërgimin e tyre për punë të detyruar jashtë Shqipërisë, nëpërmjet vendgrumbullimeve gjermane të të burgosurve, (nënkupton kampet e përqendrimit – M. K). 

Për t’i lehtësuar gjykatave të posaçme verifikimet dhe masat e dënimit, për aq sa është e mundur duhet që gjatë dorëzimit të të burgosurve, trupat gjermane të dorëzojnë edhe:

a.     Një listë emërore e të burgosurve (vendbanimi dhe data e lindjes).

b.     Akuzat e ngritura për secilin të burgosur.

c.      Një përshkrim të shkurtër të rrethanave kur u bë arrestimi/ marrja rob e tyre.

 

Nënshkrimi

©Copyright Vox News

Ky artikull i historianit Marenglen Kasmi është ekskluziv i Vox News, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, "Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to". Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Vox News dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.


Video