
Byroja Federale e Hetimit (FBI) në SHBA ka ndarë një paralajmërim për rrezikun e sulmeve kibernetike ndaj bizneseve, institucioneve dhe organizatave në mbarë botën.
Sipas FBI-së, grupe kriminale dhe hakerë të lidhur me shtete të ndryshme po përdorin inteligjencën artificiale për të depërtuar më shpejt në sistemet kompjuterike dhe për të marrë kontrollin e tyre.
Autoritetet amerikane paralajmërojnë se në disa raste hakerët kanë arritur të sigurojnë akses me privilegje të larta në rrjetet e sulmuara brenda më pak se tri orësh.
Në qendër të paralajmërimit është platforma ARTEX, një teknologji e krijuar fillimisht për testimin e sigurisë kompjuterike, por që sipas FBI-së po përdoret për automatizimin e sulmeve kibernetike.
Në një dokument prej 13 faqesh, FBI ka identifikuar sulme që kanë prekur sektorë të rëndësishëm, përfshirë bankat, institucionet qeveritare, kompanitë teknologjike, energjinë, shëndetësinë dhe telekomunikacionin.
Një nga rastet e raportuara lidhet me Korenë e Jugut, ku janë ekspozuar të dhënat personale të rreth 67 mijë personave. Një tjetër incident ka përfshirë përpjekje për të hyrë në më shumë se 2,250 sisteme klientësh të lidhur me Microsoft 365.
Sipas autoriteteve, shqetësimi kryesor është se përdorimi i inteligjencës artificiale u mundëson edhe personave me njohuri të kufizuara teknike të kryejnë sulme komplekse në një kohë shumë të shkurtër.
FBI u ka bërë thirrje bizneseve dhe institucioneve të forcojnë masat e sigurisë, të kontrollojnë aksesin në sistemet e tyre dhe të monitorojnë çdo aktivitet të dyshimtë.
Paralajmërimi vjen në një kohë kur në SHBA janë raportuar ndërprerje të disa shërbimeve bankare, sistemeve të komunikimit dhe platformave teknologjike. Megjithatë, autoritetet nuk kanë konfirmuar ndonjë lidhje mes këtyre problemeve dhe sulmeve kibernetike të përmendura nga FBI.
Ndërkohë, autoritetet amerikane kanë njoftuar edhe testimin e planifikuar të sistemit kombëtar të alarmit për emergjencat, duke sqaruar se nuk ka të dhëna që e lidhin këtë test me paralajmërimin për sulme kibernetike.