Xi Jinping, Donald Trump dhe Vladimir Putin pritet të ulen në të njëjtën tryezë të enjten, më 19 nëntor, në qytetin kinez të Shenzhenit, në një samit trepalësh që Pekini e ka prezantuar si një diskutim për paqen botërore dhe stabilitetin strategjik mes fuqive të mëdha.
Takimi pritet të marrë vëmendjen ndërkombëtare, duke lënë në hije edhe samitin e APEC-ut, ku marrin pjesë ekonomitë kryesore të rajonit Azi-Paqësor. Për Xi Jinpingun, ky është një rast për të promovuar Kinën si një fuqi qendrore në krijimin e një rendi të ri botëror.
Takimi është cilësuar si një lloj “Jalte e re”, duke iu referuar konferencës së vitit 1945, kur fuqitë fituese të Luftës së Dytë Botërore përcaktuan një pjesë të rendit ndërkombëtar të pasluftës, pa praninë e Kinës.
Megjithatë, pavarësisht simbolikës së këtij samiti, nuk pritet që tre liderët të arrijnë një marrëveshje për t’i dhënë fund luftës në Ukrainë apo për të kufizuar garën e armatimit bërthamor.
Sipas raportimeve, Vladimir Putin kishte kërkuar që çështja e Ukrainës të ishte pjesë e diskutimeve, por kjo ide nuk është pritur mirë nga Xi Jinping. Lideri kinez ka shprehur rezerva për trajtimin e një konflikti europian pa përfshirjen e Bashkimit Europian, duke argumentuar se Europa nuk mund të përjashtohet nga procesi i zgjidhjes.
Pekini duket se kërkon të shmangë përkeqësimin e marrëdhënieve me vendet europiane, të cilat përbëjnë një treg të rëndësishëm për ekonominë kineze. Për këtë arsye, Xi mund të marrë përsipër një rol më aktiv në çështjen e Ukrainës vetëm nëse krijohen kushtet për një marrëveshje konkrete.
Një tjetër temë që pritet të mbetet jashtë një zgjidhjeje të rëndësishme është kriza në Lindjen e Mesme. Kina nuk pritet të marrë përsipër një angazhim vendimtar për Iranin, pasi tensionet në rajon i shërbejnë pjesërisht interesit strategjik të Pekinit për të mbajtur SHBA-në të përqendruar në këtë konflikt, larg zhvillimeve në Tajvan dhe Detin e Kinës Jugore.
Ndërkohë, Trump synon të diskutojë kontrollin e armëve bërthamore, një propozim që Pekini nuk e sheh me entuziazëm, për shkak të diferencës së madhe mes arsenalit të tij dhe atij amerikan e rus.
Në qendër të bisedimeve mes Xi dhe Trump pritet të jenë kryesisht marrëdhëniet ekonomike dhe tregtare, përfshirë zgjatjen e armëpushimit tregtar që skadon më 10 janar, si dhe konkurrenca në fushën e inteligjencës artificiale dhe teknologjisë së avancuar.
Një tjetër mundësi që Kina mund t’i ofrojë Trumpit është ndërmjetësimi për një takim me liderin e Koresë së Veriut, Kim Jong-un.
Në këtë samit, Xi Jinping synon të shfaqet si një aktor kyç në përcaktimin e ekuilibrave të rinj ndërkombëtarë, ndërsa interesat e ndryshme të tre fuqive tregojnë se një marrëveshje e madhe për konfliktet aktuale mbetet ende larg.