Do e ekzekutonin shqiptarët: Mossad ndihmoi në parandalimin e atentatit ndaj biznesmenit izraelit në Greqi

17 Nëntor 2026, 21:06Kosova&Bota SHKRUAR NGA REDAKSIA VOX

Do e ekzekutonin shqiptarët: Mossad ndihmoi në parandalimin e

Informacionet e shërbimit sekret izraelit, Mossad, dyshohet se kanë ndihmuar në parandalimin e një atentati të planifikuar ndaj një biznesmeni izraelit në Greqi, i cili ishte vënë në shënjestër të një rrjeti të dyshuar me lidhje iraniane.

Sipas raportimeve të mediave izraelite, informacionet e mbledhura nga shërbimet izraelite kanë kontribuar në identifikimin e kërcënimit dhe në zbulimin e planit për eliminimin e shtetasit izraelit.

Objektivi i dyshuar ishte një biznesmen izraelit me origjinë greke, i cili ushtron aktivitet në Greqi dhe mban një pozicion drejtues në një kompani izraelite. Sipas hetimeve, ai kishte qenë prej kohësh në vëmendjen e personave të lidhur me rrjetin.

Në qendër të organizimit dyshohet se qëndronte shtetasi iranian Edris Jahangiri Mavaneh, i cili, sipas autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, kishte lidhje me shërbimet iraniane të sigurisë dhe inteligjencës.

Për realizimin e atentatit dyshohet se ishte angazhuar edhe Naji Sharifi Zindashti, një person i kërkuar nga FBI-ja, i cili akuzohet se kishte ndihmuar në rekrutimin e personave nga Shkupi dhe Kumanova për të kryer sulmin.

Operacioni u zhvillua në bashkëpunim mes shërbimeve greke dhe atyre të Maqedonisë së Veriut. Në kuadër të tij janë arrestuar pesë persona, një në Greqi dhe katër në Maqedoninë e Veriut, shqiptarë të RMV, ndërsa një tjetër i dyshuar vijon të kërkohet.

Gjatë kontrolleve, autoritetet kanë sekuestruar armë, municione, telefona, kompjuterë, USB, shënime me të dhëna kontakti dhe skica që shënonin vendndodhje të caktuara.

Hetimet kanë zbuluar gjithashtu se disa prej të dyshuarve kishin udhëtuar drejt Iranit dhe vendeve të tjera, ku dyshohet se kishin zhvilluar takime me personin që koordinonte planin. Sipas autoriteteve të Maqedonisë së Veriut, hetimi kishte nisur që në fillim të vitit 2026 dhe ishte zhvilluar në bashkëpunim me shërbimet greke dhe partnerë të tjerë ndërkombëtarë.

Ndërkohë, pretendimet për përfshirjen e shërbimeve iraniane në organizimin e atentatit mbeten pjesë e hetimeve.


Video